Çmimi i arit në Kosovë rëndom varet nga lëvizjet në bursat ndërkombëtare.
E lëvizjet e shumta në tregjet ndërkombëtare të arit përgjatë dy viteve të fundit, kanë bërë që edhe në Kosovë çmimi i arit të rritet në përmasa të larta.
Aktualisht, çmimi i një gram ari nëpër disa prej artarive në kryeqytet, sillet nga 50 deri në 55 euro.
Ndërkohë, çmimi i një kilogrami të arit tani sillet mbi 51 mijë euro, nga 47 mijë sa ishte në vitin 2020.
Buletini Ekonomik ka vizituar disa prej artarive në kryeqytet për të parë çmimet aktuale.
Sipas artarëve në kryeqytet, para pandemisë çmimi i arit ishte për 10 euro më lirë për gram, ndërsa tani një gram po kushton prej 50 e deri në 55-56 euro.
Edhe në bursat ndërkombëtare, për momentin një gram ari është duke u tregtuar me 55 deri në 56 euro.
Në bursën ndërkombëtare “Goldprice”, çmimi i një kilogram ari tani po tregtohet me një çmim prej 55 mijë e 942 eurove.
Ndryshe, sipas të dhënave zyrtare, edhe interesimi i Kosovës për import të kësaj lënde, është rritur shumë gjatë vitit 2021.
Vetëm nga janari deri në muajin gusht të 2021-s, janë importuar mbi 72 kilogramë ari, derisa në vitin 2020, totali i importeve të arit ishte vetëm 33 kilogramë.
Kurse në vitin 2019 ishin importuar 45 kilogramë ari, më 2018- 56 kilogramë dhe më 2017- 44 kilogramë ar.
Kujtojmë gjithashtu se Kosova është vendi i vetëm në rajon, e cila nuk ka rezerva natyrore të arit.