Kosova po humb në rrafshin politik ndërkombëtar si pasojë e refuzimit të kërkesave të shtuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendeve më të fuqishme evropiane për pezullimin e taksës doganore, thonë njohësit e zhvillimeve politike.
Sipas tyre, qasja refuzuese e Kosovës karshi kërkesave ndërkombëtare do të reflektojë negativisht në raport me përkrahjen ndërkombëtare. Taksa doganore që Kosova u ka vënë importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, nga SHBA-ja dhe BE-ja po shihet si pengesë për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i cili si qëllim final ka arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse e paqësore.
Jeta Krasniqi, njohëse e zhvillimeve politike nga Instituti Demokratik i Kosovës, konsideron se si pasojë e mospezullimit të taksës doganore nga ana e Qeverisë së Kosovës, ka nisur tashmë dëmtimi i raporteve të Kosovës me vendet që i konsideronte si mike, por sipas saj, deri në çfarë niveli do të shkojë dëmtimi i këtyre raporteve, mbetet të shihet në vazhdim.
“Ne qëndrojmë para një fakti ku duhet të shohim se si të ruajmë interesin tonë si shtet në kuadër të procesit të dialogut (me Serbinë) si dhe në kuadër të këtij procesi të ruajmë edhe partneritetin tonë me miqtë tanë ndërkombëtar. Çdo veprim të cilin e bëjmë duhet ta zhvillojmë në bazë të një strategjie, për të cilën duhet vazhdimisht ta konsultojmë dhe të marrim mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtar”, tha Krasniqi.
“Ne duhet të shohim që masat tona të cilat i marrim të mos kthehen në kundër produktivitet, por të shohim se si përmes këtyre masave të forcojmë shtetin e Kosovës dhe të forcojmë partneritetin tonë ndërkombëtar. Pra, jemi në një fazë kur ne jemi për herë të parë duke marrë veprime që nuk janë në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtar dhe efektet janë të shumëfishta, por ne jemi para një momenti ku duhet të bëjmë vlerësim se si duhet të ecim përpara”, tha Krasniqi.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në paraqitjen e tij para mediave ka thënë se nga takimet e fundit që ka pasur me zyrtarët e lartë amerikan, por edhe ata të shteteve të BE-së, është kërkuar nga ai që tarifa doganore ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina të pezullohet. Por, përkundër këtyre kërkesave, Haradinaj vazhdon të mbaj qëndrimin se taksa nuk do të do hiqet derisa Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Jehona Lushaku-Sadriu, politologe dhe njohëse e integrimeve evropiane, thotë për Radion Evropa e Lirë se duhet të behet një analizë dhe të shihet se a është arritur rezultati i taksës dhe cilat mund të jenë në të ardhmen veprimet e reja.
“Në përgjithësi Kosova është duke humbur sepse kjo është një kërkesë shumë decidive e bashkësisë ndërkombëtare për ta pezulluar taksën. Mendoj se mungesa e alternativave nga ana e Kosovës i mbyll shumë shtigje sa u takon raporteve më bashkësinë ndërkombëtare edhe mendoj se duhet të gjendet një zgjidhje emergjente që kjo taksë të pezullohet për një kohë dhe të arrihet një marrëveshje”, tha Lushaku- Sadriu.
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini i tha të martën Këshillit të Sigurimit të OKB-së se “Kosova duhet të heqë tarifën ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës”.
Pasi të ndodhë kjo, Mogherini përsëriti se do të thërrasë menjëherë raundin e ri të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në mënyrë që të arrihet marrëveshja ligjërisht obliguese për normalizimin e plotë të raporteve ndërmjet dy vendeve.
Por, i shpejt ka qenë edhe reagimi i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka kërkuar të mërkurën nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini që të mos e ndërlidhë vazhdimin e dialogut me taksën doganore që Qeveria e Kosovës ka vendosur ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.
Përmes një postimi në Twitter, Haradinaj ka thënë se “dialogu ka dalë nga binarët” para se të vendosej taksa doganore në nëntorin e vitit të kaluar.
“Dialogu kishte dalë nga binarët shumë kohë para se të vendosej taksa. Mungesa e transparencës, inkurajimi i propozimit për shkëmbim territoresh dhe dështimi i zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese – këto janë arsyet. Dialogu mund dhe duhet të rikthehet pa u ndërlidhur me tarifën”, ka shkruar Haradinaj.
Dialogu që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është bllokuar që prej se Kosova vendosi taksën doganore prej 100 përqind.
Ky dialog lehtësohet nga Bashkimi Evropian dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kurse si qëllim kryesor ka normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si rrugë e domosdoshme që të dy shtetet duhet ta kalojnë në procesin drejt integrimit në Bashkimin Evropian.