Gjilan, 14 qershor 2017 Kryetari i Komunës së Gjilanit ka pranuar sot vendimin e jurisë profesionale për ndarjen e çmimit letrar “Beqir Musliu”, për të cilin çmim, kryetari Lutfi Haziri, ka thënë se është çmimi më i madh letrar.
“Ky çmim është duke u ndarë në kuadër të ditëve të bardha të lirisë së Gjilanit dhe çmimi si i tillë është kurora e gjithë aktiviteteve kulturore që organizohet në Komunën e Gjilanit”, ka thënë në fjalën e tij kryetari Lutfi Haziri.
“Pasi jemi në muajin e dhjetë të ndarjes së çmimit “Beqir Musliu”, ne do të vendosim murin e doajenëve të çmimit letrar “Beqir Musliu”, në Teatrin e Qytetit dhe në ceremoninë e ndarjes së çmimit do të bëhet zbulimi i fotografive të atyre që janë fitues të këtij çmimi ndër vitesh”, ka thënë kryetari i Haziri.
Ndërsa në emër të jurisë profesionale, ka folur Anton Nikë Berisha, i cili ka falënderuar kryetarin e Komunës për mbështetje të komisionit gjatë gjithë këtij procesi në shërbim të garës për çmimin letrar.
Ai ka bërë të ditur se këtë vit çmimin “Beqir Musliu”, këtë vit e merr poeti Ramadan Musliu, si krijues i madh nga kjo anë, në fushën e poezisë dhe në rrafshin e studimit letrar, duke pasuruar poezinë shqipe dhe duke zgjeruar edhe më shumë rrafshin e studimit letrar.
Përndryshe, me vendim unanim, komisioni në përbërje, Anton Nikë Berisha, Sabit Rrustemi dhe Xhevat Latifi, ka vendosur që çmimi të shkoj për poetin Ramadan Musliu.