Komuniteti i biznesit në Kosovë ka kërkuar që duke filluar nga java e fundit e muajit prill të fillohet me rihapjen e disa veprimtarive ekonomike.
Nga vendimet e para që duhet marrë, sipas Odës Ekonomike të Kosovës, është që Prishtina të largohet nga karantina, e cila nga 11 prilli është shpallur si zonë karantinë duke ndaluar hyrjet dhe daljet në këtë komunë.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka thënë se në disa sektorë, siç është ndërtimtaria, duhet të lejohet puna.
Komuniteti i biznesit në Kosovë ka propozuar që gjatë muajit maj të mundësohet të fillohet puna në tërë zinxhirin e shitjes me pakicë.
“Propozimi ynë është që kjo të lejohet në objektet deri në 800 metra katrorë dhe kjo të jetë nga java e parë e majit. Pastaj, nga java e tretë e muajit maj të mundësohet fillimi i punës në tërë sektorin e shërbimeve dhe në të njëjtën kohë të hartohet një plan operacional për hapjen graduale të sektorit të hoteleve, restoranteve dhe kafiterive si dhe transportit të udhëtarëve”, ka thënë Rukiqi.
Lehtësimi i masave dhe rikthimi i veprimtarisë ekonomike, sipas mikrobiologut Lul Raka, duhet të bëhet në faza, duke u siguruar që autoritetet shtetërore dhe bizneset ta bëjnë këtë gjë në mënyrë të sigurt.