Ballkani po përjeton këto ditë një rritje të frikshme të infektimeve me Covid 19. Agjencitë e lajmeve të disa vendeve ballkanike, si HINA kroate apo Tanjug-u i Serbisë kanë publikuar një përmbledhje të shifrave të rritura në disa vende.
Siç bën të ditur Tanjug, ditën e djeshme kishte 152 persona të infektuar me virusin Korona në 24 orë në Serbi. Dy persona humbën jetën si pasojë e përkeqësimit shëndetësor nga koronavirusi.
Tanjug thekson ndërkohë, se situata në Kroaci është alarmante dhe ai vend regjistron sot një numër rekord të njerëzve të infektuar me kurorën në një ditë – deri në 748, ndërkohë që humbën jetën katër persona.
Në Malin e Zi, gjithashtu, infeksioni i Covid-19 është në rritje prej ditësh, çka e rendit këtë vend në krye të Evropës për nga numri i të infektuarve, me 622 të infektuar për 100,000 banorë.
Sipas të dhënave më të fundit nga Instituti i Shëndetit Publik të Malit të Zi, janë regjistruar 218 raste të reja pozitive të infeksionit. Dy vdekje janë raportuar tek pacientët e intubuar pozitiv të Covid-19.
Në Bullgari, gjithashtu pati një rritje rekord të numrit të pacientëve në një ditë, në 24 orët e kaluara, 785 njerëz u infektuan, pothuajse 200 më shumë se një ditë më parë. Tetë persona vdiqën në 24 orët e fundit, duke e çuar totalin në 923.
Qeveria Rumune ka vendosur kufizime të reja progresive mbi përhapjen e epidemisë së koronavirusit dhe do të zgjasë gjendjen e jashtëzakonshme deri në mes të nëntorit.
Rumania ka regjistruar më shumë se 3,000 të infektuar çdo 24 orë në ditët e mëparshme dhe numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur 160,461 që nga fundi i shkurtit.
Deri më tani, 120,515 njerëz janë shëruar, por 5,535 kanë vdekur, niveli më i lartë i vdekjeve në krahun lindor të Bashkimit Evropian.
Nga 15 tetori, qeveria do të ndalojë të gjitha ceremonitë private brenda dhe jashtë, të tilla si dasma dhe pagëzime, dhe mbajtja e maskave do të jetë e detyrueshme në të gjitha vendet publike në qytete me një numër të rritur të njerëzve të infektuar.
Statistikat e djeshme tregojnë se 334 raste të reja të koronavirusit dhe 11 vdekje të infeksionit u regjistruan në Bosnjë dhe Hercegovinë brenda 24 orësh.
Në Maqedoninë e Veriut, janë regjistruar 80 raste të reja të koronavirusit dhe tre persona të tjerë kanë vdekur.
Një përshkallëzim situate kemi edhe në Hungari, ku ka pasur 1,025 infeksione të reja në ditë dhe u njoftua dje se 28 njerëz kishin vdekur.
Në vendin tonë, Shqipëri, sipas të dhënave të djeshme, janë regjistruar 182 raste të infeksionit në një ditë, kurse në Kosovë ka pasur 98 raste të reja në 24 orë dhe një humbje jete.