Në Klinikën e Psikiatrisë kanë kërkuar trajtim numër i madh i pacientëve që prej shfaqjes së rasteve të para me Covid-19.
Drejtori i Klinikës së Psikiatrisë, Shaban Mecinaj ka thënë se COVID-19 ka ndikuar në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të pacientëve me probleme kronike.
“Pandemia ka ndikuar negativisht në pacientët tanë kronik, pra në kuptim të përkeqësimit të gjendjes së tyre, por edhe tek shtresat e tjera të popullatës duke u krijuar një ankth dhe shqetësim ku kanë kërkuar ndihmë ambulantore te ne. Kapacitetet tona pothuajse kanë qenë të plotësuar në mënyrë standarde ashtu, sado që gjatë pandemisë ne kemi qenë edhe mirëpritëse edhe të dy klinikave tjera, dhe kemi ofruar mbështetje për klinikat Covid-trajtuese qoftë me infermierë apo staf specialistik”, tha ai për EkonomiaOnline.
Mes tjerash drejtori shprehet se në lëmin e shëndetit mendor nuk ka një fazë të rehabilitimit, pasi simptomat e pacientët i manifestojnë më vonë.
“Mendoj që popullata në përgjithësi e sidomos pacientët me cilët në një mënyrë paraqesin psiko-patologji të ndryshme kanë filluar të manifestojnë atë ankthin dhe pasigurinë e tyre dhe pasojat më të mëdha reale dhe të vërteta sa i përket shëndetit mendor sigurisht se do vinë në shprehje pasi të përfundoj edhe zyrtarisht pandemia”, theksoi tutje ai.
Tutje Mecinaj tha se pandemia cilësohet një traumë për njerëzit.
“Siç e dini pandemia Covid-19 në përgjithësi sot cilësohet si një traumë për mbarë njerëzimin dhe në këtë kuptim efektet negative ka pasur edhe në popullatën tonë, sidomos tek pacientët tanë. Në këtë kuptim ka ndikuar shumë edhe informacionet e mangëta të cilat kanë qenë të qasshme në fillim të pandemisë dhe mënyrën e përhapjes dhe trajtimit. Mbi këtë bazë krejt këto e kanë vështirësuar duke krijuar konfuzitet e sidomos tek këta pacientë”, shtoi ai.
Ndërsa, psikologu Yll Avdijaj tha se pandemia ka atakuar shëndetin mendor dhe ka rritur kërkesat për trajtim të personave me probleme depresive dhe diagnoza psikiatrike.
“Me ardhjen e pandemisë kanë ardhur edhe shumë vështirësi tjera si politike, ekonomike e sociale dhe sidomos aspektin e shëndetit mendor e ka atakuar mjaft shumë. Prej pandemisë ka pasur vazhdimisht rritje të kërkesave për trajtim të problemeve të ndryshme si ankthi dhe depresioni e poashtu edhe rastet me diagnoza psikiatrike”, ka deklaruar ai.
Mes tjerash Avdijaj tha se sidomos te disa persona janë shpërfaqur problemet që mund t’i kenë pasur më herët.
“Pandemia ose izolimi tek disa persona ka ndikuar keq dhe ka arritur që t’iu shpërfaq problemet që i kanë pasur edhe më herët. Me uljen e rasteve tash po shihet një tren se qytetarët janë pak më mirë, mirëpo nëse e shikojmë nga ana tjetër edhe kërkesat për trajtim psiko-terapeutik dhe për trajtim psikiatrik janë shtuar, pasi këto probleme janë që duhet trajtuar për një kohë më të gjatë”, shtoi ai.