Debatik Curri është shfaqur para gazetarëve në konferencën për shtyp para duelit ndaj FC Ballkani, teksa ka folur për ndeshjen e së shtunës dhe objektivat e klubit.
Numri një i shtabit teknik ka vënë në theks dëshirën e futbollistëve për të luftuar në secilën ndeshje dhe për të marrë maksimumin e tyre.
“Jemi përgatitur për këtë ndeshje me kohën që kishim në dispozicion. Luajmë ndaj njërave prej skuadrave më të mira në kampionat, por ne do të udhëtojmë për të treguar karakter. Do të shkojmë ti çasemi ndeshjes sikurse ndeshjet e tjera. Besojmë që nuk do t’ia bëjmë ndeshjen e lehtë kundërshtarin me atë të cilën e kemi përgatitur gjatë javës”.
Fitorja ndaj Prishtinës së Re?!
“E rëndësishme ishte të nisim me fitore, për atmosferën dhe moralin e ekipit. Me këso angazhimi edhe nëse nuk do ta fitonim ndeshjen të gjithë do të ishim të kënaqur, pasi që kemi krijuar raste të shumta shënimi dhe kemi kontrolluar ndeshjen. Duhet të vazhdojmë me këtë ritëm duke dhënë maksimumin në secilën ndeshje, pasi që vetëm duke dhënë maksimumin i bëjmë gjërat më të lehta, për vete, për ekipin dhe për klubin”.
Atmosfera brenda kampit?
“Atmosfera natyrisht se është e mirë pas fitores e cila normalisht se ishte tepër e rëndësishme. Më gëzon fakti që triumfoi dëshira e futbollistëve për ta fituar ndeshjen”.
Mungesat e shumta?
“Kur kam ardhur këtu kam gjetur disa futbollistë të dëmtuar dhe me dëmtime po përballemi edhe tani. Por, unë nuk jam nga ata trajnerë të cilët ankohen vazhdimisht në mungesa të futbollistëve. Ata të cilët do të jenë të gatshëm do të japin maksimumin për ta triumfuar ndeshjen. Pres që ekipi të rritet nga ndeshja në ndeshje. Të tregojmë rrespekt për kundërshtarin, por asnjëherë frikë”.
Objektivi?
“Ekipi është i ndërtuar për të qenë në pjesën e epërme të klasifikimit. Normalisht e dijmë që janë humbur shumë pikë gjatë rrugës, por ne nuk do ti vajtojmë tani ato. Do të përqendrohemi në secilën ndeshje të marrim maksimumin dhe të afrojmë klubin në objektivat që tashmë ka para”.
Kontigjenti i futbollistëve?
“Jam i kënaqur me fondin e futbollistëve dhe këtë e kam analizuar edhe para se të vija këtu. Është nder për mua të jem trajner i një klubi, siç është Gjilani dhe gjithmonë me pretendime të larta. Për këtë arsye jam këtu. Nëse gjatë rrugës do të kemi mundësi të angazhojmë ndonjë futbollist kualitativ, natyrisht se do ta bëjmë, pasi që për futbollistët cilësor gjithmonë ka vend”.










