Debatik Curri është shfaqur në konferencën për shtyp para duelit ndaj Prishtinës së Re, teksa ka vënë në pah rëndësinë e rikthimit të rezultateve dhe realizimit të objektivit që ka vënë klubi.
I pari i stolit të gjilanasve ka potencuar se atmosfera brenda kampit “kuqebardh” ka qenë pozitive dhe kanë punuar në vazhdimësi për ta përgatitur ndeshjen e së shtunës në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Jemi përgatitur për ndeshjen me aq kohë sa kemi patur në dispozicion. Gjilani është një klub që kërkon rezultate dhe futbollistët duhet të jenë të vetëdishëm për këtë gjë dhe të gjithë ne duhet të japim 100% për të arritur objektivin që ka vënë klubi”.
Njohja me ekipin?!
“Është kohë e shkurtër për të implementuar idetë dhe filozofinë e lojës të cilën e dëshiroj. Mirëpo unë i njoh këta futbollistë dhe jam i kënaqur me fondin që kam, pasi që është një grup që ka shumë potencial për pozitën në të cilën ndodhen. Përpara se të vija këtu e kam analizuar dhe kam vlerësuar që është një grup shumë kualitativ, prandaj edhe objektivat janë të arritshëm”.
Objektivat?
“Asgjë nuk ka ndryshuar sa i përket objektivave të klubit, pavarësisht situatës në të cilën ndodhemi. Objektivi dhe fokusi është vetëm te ndeshja e nesërme te Prishtina e Re. Besojmë që duke dhënë maksimumin të gjithë së bashku do të dalim nga kjo situatë dhe do të rikthehemi në rrugë për objektivin që kemi”.
Atmosfera brenda grupit?!
“Atmosfera është pozitive dhe nuk e diskutoj që ka qenë e tillë edhe më parë. Normalisht që rezultatet e bëjnë të vetën, mirëpo jemi munduar maksimalisht që të kemi në fokus gjithë futbollistët e gatshëm të cilën do të jenë për ndeshje”.
Ndeshja me Prishtinën e Re?
“Nuk ka asnjëherë ndeshje të lehtë. Çdo kundërshtar duhet vlerësuar për atë që ka bërë, mirëpo ne kemi punën tonë dhe besojmë shumë që do të bëjmë një ndeshje me shumë angazhim dhe disiplinë për të arritur te rezultati të cilin e kërkojmë”.
Mungesat?
“Nuk qahem asnjëherë. Ata të cilën do të jenë në dispozicion do të jenë të gatshëm për të dhënë gjithçka nga vetja, pasi që këtë gjë e kërkoj vazhdimisht nga futbollistët”.