Albert Dabiqaj ka konfirmuar largimin nga Gjilani më 1 korrik.
Njëri nga mesfushorët më të mirë në vitet e fundit në futbollin kosovar do të vazhdoj të mbetet në qytetin e Gjilanit, por do t’i bashkohet Dritës.
26-vjeçari ka arritur marrëveshje me Dritën dhe ditën e nesërme (e enjte) pritet prezantimi me fanellën bardhekaltër.
Telegrafi mëson se Dabiqaj tanimë ka nënshkruar kontratë dy vjeçare me tre herë fituesit e titullit kampion në Superligën e Kosovës.
Ish-anëtari i Besës, Gjilanit dhe Feronikelit ka zgjedhur edhe numrin që do ta mbajë në fanellë dhe ai është 14, i njëjti numër që kishte edhe te rivali lokal i Dritës.
Dabiqaj është transferimi i tetë i Dritës këtë afat kalimtar veror.
Gjilanasit më herët kanë nënshkruar me Astrit Thaqin, Rilind Hazirajn, Hajdin Salihun, Albin Prapashticën, Laurit Behlulin, Blerim Krasniqin dhe Dylian Georgiev./Olle/