Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor që të rinumërohen votat e kandidatëve për deputetë, nëse Qendra e Numërimit dhe Rezultateve rezulton se deri në 30 për qind ka parregullsi dhe mospërputhje të votave.
E një propozim i tillë u kundërshtua nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje dhe nuk mori votat e mjaftueshme për t’u futur si pikë e rendit të ditës në mbledhje të KQZ-së.
Anëtari i KQZ-së nga Partia Demokratike e Kosovës, Ilir Gashi e kërkoi rinumërim të votave të kandidatëve për deputetë nëse paraqiten parregullsi, pasi sipas tij, praktikat e mëhershme kanë vërtetuar se gjatë numërtimit të votave të kandidatëve kanë pasur mospërputhje të votave.
Gashi tha se kjo po bëhet me qëllim të rritet transparence e procesit zgjedhor.
“Procesi zgjedhor është në duart të partive politike komisionerët nuk janë të KQZ-së ne i emërojmë në bazë të ligjit por janë të subjekteve politike dhe ata po e deformojnë procesin në luftën e tyre brenda llojit pa dallim.. 13’06 Do kishte me qenë mirë që ne me marr masa preventive nëse jo për shkak të sanksionimit të ligjit që votat të numërohen për kandidat në qendër të numërimit të rezultateve. Unë mendoj se duhet ta qesim një prag se nëse votat dalin mbi 30 për qind në kutit e votimit që kanë defekte të mos përputhshmërisë mes tyre atëherë të kemi rinumërim të tërësishëm të të gjitha kutive për kandidat. Nëse doni me pas një proces edhe preventiv për tu treguar kandidatëve që mos të merren me mundësitë që mund tu ofrohen për manipulim”, tha Gashi.
Një kërkesë të tillë e kanë kundërshtuar anëtarët e partive tjera politike që janë pjesë e KQZ-së, duke e konsideruar si të vonuar.
Anëtari i LDK-së në KQZ-së, Sami Hamiti tha se një kërkesë të tillë e cila vjen 48 orë para ditës së zgjedhjeve do të duhej të procedohej më herët.
Hamiti theksoi se numërimi i votave në QNR ka qenë kërkesë qysh nga nisja e reformës zgjedhore por nuk ka pasur vullnet politik për ta marr një vendim më herët për këtë çështje.
“Nga procesi i reformës zgjedhore kjo ka qenë kërkesë për një reformë zgjedhore por duhet të themi këtu saktë se nuk ka pasur vullnet politik për ta kryer më herët. Tash kemi nisur një forcim të procesit zgjedhor jo ta quajmë reformë zgjedhore ku prapë është kjo nëse po pretendohet për dy ditë ta rrisim transparencën,Iliri e përmendi vetë komisionerët janë të partisë së tyre nuk kanë me qenë për t’ia numërua një partie tjetër në çdo vendvotim PDK ka komisionerët e vetë atëherë mosbesimi bie tek komisioneri juaj, jo tek procesi dhe KQZ-ja”, tha Hamiti.
Ndërsa, Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje tha se nuk është serioze që 48 orë para procesit zgjedhor të kërkohet një ndryshim esencial i cili është dashur të iniciohet qysh para planit operacional.
“E para punës ne jemi Komision i Zgjedhjeve me mandat për të organizuar zgjedhjeve dhe për të siguruar mbarëvajtje të zgjedhjeve ne nuk jemi institucion i përhershëm disa prej nesh është e vërtetë që disa aspekte të procesit zgjedhor ka nevojë për me u forcua mekanizmat pra nuk është institucionalisht dhe nuk është serioze se 48 orë para ditës së zgjedhjeve me incizua ndryshim kaq esencial të operacionit zgjedhor, ndërkohë këtu kemi qenë dhe nuk kemi trajtuar më herët as me krijua procedurë, çoftë me ndryshua rregullore, çoftë me qenë para planit operacional siç u tha para komisionerëve, para shtypjes së materialeve, para transportimit të materialeve”, tha Rrustemi.
Kurse, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka përkundër kësaj kërkese ajo përçoi një mesazh te të gjithë komisionerët e subjekteve politike se nëse shkaktojnë ndonjë parregullsi do ngitet kallëzim penal ndaj tyre.
“Ditën e zgjedhjeve edhe jo vetëm ditën e zgjedhjeve por edhe pas përfundimit të zgjedhjeve gjatë numërimit të votave dhe gjatë përfundimit të procesit të ditës së zgjedhjeve të gjithë komisionerët të cilët do të kenë edhe një dyshim më të vogël jo dyshim të bazuar ashtu siç kërkohet nga Kodi Penal, por edhe një ndryshim më të vogël se kanë bërë manipulimin e kandidatëve apo votave të kandidatëve, apo votave të subjekteve politike do të ngriten kallëzime penale direkte ditën e zgjedhjeve dhe ditën pas ditës së zgjedhjeve drejtpërdrejtë nga KQZ-ja. Ndërkaq gjatë auditimit të kutive të votimit të cilat do arrijnë në QNR do bëhet këto kallëzime penale të drejtpërdrejta në prokurorit përkatëse”, deklaroi Daka.
Gjatë kësaj mbledhjeje të KQZ-së janë akredituar edhe 51 vëzhgues derisa numri i përgjithshëm i atyre që e vëzhgojnë procesin zgjedhor të 6 tetorit shkon në 34 mijë e 586 vëzhgues.
Kujtojmë se sot është dita e fundit e fushatës zgjedhore, ndërsa nesër është heshtje zgjedhore, e të dielën më 6 tetor qytetarët e Kosovës do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryeministrin e ardhshëm të Kosovës.