Federata e Futbollit e Zvicrës (SFV) ka njoftuar se nga sot (e enjte) janë hedhur në shitje biletat për ndeshjen kualifikuese mes Zvicrës dhe Kosovës, e vlefshme për Kupën e Botës 2026.
Përfaqësuesja helvetike do ta nisë fushatën kualifikuese para tifozëve vendas më 5 shtator, në orën 20:45, në stadiumin “St. Jakob-Park” në Bazel.
Sipas njoftimit, biletat mund të blihen vetëm online në platformën www.ticketmaster.ch, duke filluar nga ora 14:00 e sotme (31 korrik).
Çmimet variojnë nga 25 franga (për të rinjtë nën 16 vjeç, pas portës) deri në 135 franga për vendet Premium në qendër të tribunës. Fëmijët deri në 6 vjeç hyjnë falas, por duhet të ulen në prehrin e një të rrituri, pasi nuk kanë të drejtë për vend të veçantë.
Në njoftim theksohet se biletat për sektorët e dedikuar për tifozët e Kosovës (B1-B2) do të shiten vetëm përmes Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).
Ndërkohë, tifozët kosovarë mund të blejnë bileta shtesë edhe për sektorët B3-B7, të cilat do të jenë të hapura për publikun.
SFV u ka rekomanduar të gjithë tifozëve që biletat t’i sigurojnë vetëm përmes platformës zyrtare www.ticketmaster.ch.