Dalja e pakontrolluar e qytetarëve pas lehtësimit të masave për parandalimin e koronavirusit e kërcënon shëndetin publik, sepse në periudhën pasuese pas 12 ditëve mund të kemi një rritje të lehtë të numrave.
Ai i ka mirëpritur lehtësimet e masave në ekonomi, por ka thënë se duhet kujdes i shtuar që të mos kemi një valë të re të epidemisë e cila mund të jetë edhe më e rrezikshme se e para.
Këtë shqetësim e ka shfaqur në një intervistë për Ekonomia Online, mikrobiologu Lul Raka.
Në këtë intervistë Raka ka thënë se masat e ndërmarra nga IKSHP-ja për parandalimin e koronavirusit, kanë ndikuar që numri i rasteve të mos jetë shumë i madh.
Lirimin e masave e ka konsideruar të pritshme, ani pse ende nuk është fituar lufta kundër koronavirusit. Raka ka thënë se distancimi fizik distanca është çelësi kryesor për parandalimin e virusit.
“Piku është numri më i madh i rasteve që matet brenda ditës. Ne kemi pasur me 12 prill 79 raste kurse masat që janë ndërmarrë nga Ministria e Shëndetësisë në izolim kanë dhënë rezultatet këtyre masave shihen mas periudhës dy javore. Gjatë këtyre ditëve ka pasur numër më të madh të të shëruarve sesa numër të rasteve të reja me Coronavirus. Lajmi i djeshëm ka qenë më i miri deri më tash ku i kemi pasur 87 të shëruar dhe vetëm një rast të konfirmuar”.
“Ky është një lajm i jashtëzakonshëm që tregon se masat e ndërmarra kanë pasur sukses dhe tregon që qytetarët i kanë zbatuar gjatë kësaj periudhe. Betejën e kemi fituar në fazën e parë, sepse numrat dhe kapacitetet menaxhuese shëndetësore nuk janë tejkaluar. Porosia është që të kemi masat e parandalimit në radhë të parë distancimin social, fizik, sepse rrugën kryesore e hap personi gjatë kollitjes ose të folurit kjo është masë kryesore dhe nëse e mbajmë distancën ky është çelësi kryesor”, tha Raka.
Raka tha se ende nuk jemi kthyer në fazën normale, mirëpo duhet të vazhdojë të gjallërojë edhe ekonomia por, me kujdes në mënyrë që të mos ketë valë të dytë, e cila mund të jetë më e dëmshme sesa e para.
Sipas Rakës, masat janë graduale në dy javët pasuese, duke u kapluar edhe me një fazë të tretë, e cila pritet të jetë në qershor.
“Duke e ditur faktin që me lehtësimin e masave do të ketë grumbullim të njerëzve veç ka filluar nëpër disa shitore të cilat do të duhej të kishin numër të caktuar të klientëve brenda, mirëpo nëse ka fluks të madh të numrit të njerëzve, atëherë si masë shtesë përveç distancës është maska ose mbulesat e fytyrës, të cilat ofrojnë mbrojtje pre infeksionit me virus. Në normalitet nuk jemi kthyer, mirëpo duhet të vazhdojë të gjallërojë edhe ekonomia, por me kujdes në mënyrë që të mos ketë valë të dytë e cila mund të jetë më e dëmshme sesa e para”.
“Masat janë graduale në dy javët pasuese dhe faza e tretë është në fillim të qershorit. Lirimi ka filluar me 4 dhe me 18 bëhet një analizë. Shikohet si ka shkuar, sa janë respektuar masat dhe a mund të procedojmë me stadin e dytë. Distanca është e rëndësishme. Po ashtu bartja e maskave ose shallat të cilat mbrojnë, sepse ajo është rruga kryesore. Rruga e bartjes është tash përmes personit. Kryesore për ta mbrojtur shëndetin është bartja e maskës dhe larja e duarve vazhdimisht mbajtja e higjienës mjafton që ta parandalojmë virusin”, shtoi Raka.