Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, përkatësisht Hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike kanë ndaluar dhe intervistuar gjithsejtë 31 persona, të cilët dyshohet se kanë mashtruar me subvencione.
12 nga të ndaluarit e sotëm janë zyrtarë me pozita të ndryshme nga komunat dhe zyrat rajonale të Agjencionit Zhvillimor të Bujqësisë dhe zyrës rajonale të APK-së.
Aksioni, sipas Prokurorisë Speciale, është zhvilluar në Pejë, Istog, Ferizaj, Lipjan, Prishtinë, Kllokot, Vushtrri dhe Podujevë.
19 persona janë intervistuar në cilësinë e përfituesve të subvencioneve. Sipas prokurorisë, përfituesit e subvencioneve janë nga komuna të ndryshme të Kosovës, të cilët dyshohet se kanë mashtruar me subvencione.
“Personat e ndaluar dyshohet se kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit”, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Dhënie e ryshfetit”, “Mashtrim me Subvencione’’, si dhe “Falsifikim i dokumenteve””, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale, njofton Klankosova.tv.
Tutje, në këtë komunikatë bëhet e ditur se në afate kohore ligjore, Prokuroria Speciale do të bëjë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit të personave të cilët janë ndaluar nga aksioni i sotëm.
Kujtojmë se aksioni i sotëm, është vazhdim i aksioneve të mëhershme për rastin e nojuhr si “Subvencioni 2021”.