Dardan Sejdiu
Mëngjesi në Prishtinë e ka një ritëm që të rren. Kerret rrëshqasin mbi asfaltin e lagët e pak me lloq, kafetë gumëzhijnë si akuariume t’nxehta, e njerëzit afrohen ngat njëri-tjetrit për me folë mbi zhurmën e makinave t’ekspresos. Kush s’e njeh këtë vend, mundet me mendu që sporti nacional këtu është muhabeti.
Edhe është.
Po arena e vërtetë s’janë tavolinat. Është ekrani.
E sheh ni djalë t’ri te kafja e mahallës, me ni makiato t’madhe përpara. S’po këqyret me dikë. S’po kesh. Fytyra i ndriçon me ni dritë t’ftohtë, ngjyrë hiri, që vjen prej xhamit t’telefonit. Gishti i shkon lart-poshtë me ni shpejtësi që i ngjan dikujt që po kërkon diçka që e ka hupë, po s’e din çka. Ky është scroll-i pafund, Republika e njoftimeve, ku gjithçka paketohet shpejt, edhe fjalët, edhe mllefi, edhe “e vërteta”.
Në Kosovë, telefoni është vendi ku pëlcasim. Jo kadale, jo me edukatë, e as me fjali t’kryme. Pëlcasim me clip-a, me tituj që t’vijnë si shpullë, me screenshot-a t’nxjerrë prej kontekstit. Ni shok ta nisë ni video: “Kqyre çka po bojnë këta.” Ti klikon, se këtu edhe mos me e pa linkun konsiderohet pak faj. Lajmi është i hollë si qesja e plastikës, po komentet janë t’randa. Njerëzit që deri dje i ke pa si t’zakonshëm, bahen prokurorë. Të gjithë e kanë ni aktgjykim n’gepek. Kush s’ka durim.
Kësaj i thonë politikë sot në Kosovë. I thonë “diskurs publik.” Po emri i vërtetë është ma i thjeshtë: ekonomia e vëmendjes, tu punu me t’gjitha ndërrimet n’ni vend t’vogël që s’ka takat me e pagu faturën n’fund. Edhe “The Guardian”, kur i renditi fjalët finaliste të vitit 2025 te Macquarie Dictionary, e përkufizoi “attention economy” si ekonomi ku vëmendja njerëzore trajtohet si mall. E kur vëmendja bahet mall, vendi jonë s’e ka veç krizën e rrymës, e ka edhe krizën e filtrit: tubat janë të shpejtë, filtrat të dobët, helmi del gati.
Ekonomia e vëmendjes s’është metaforë. Është biznes. Ajo e trajton vëmendjen e njeriut qysh e ka trajtu ekonomia e vjetër tokën, arin a naftën: burim i rrallë që duhet me u nxjerrë, me u rafinu, me u shitë. Platformat në rrjete sociale s’garojnë për t’vërtetën, garojnë për me t’mbajtë tu këqyrë, tu scroll.
Në fillim të 2025-ës, interneti në Kosovë ka qenë praktikisht kudo, rreth 96.6% e popullsisë online, me rreth 877 mijë identitete në rrjete sociale, pa e fut në hesap diasporën. Këtu rrëfimi udhëton ma shpejt se demantimi. E kur një vend ka shpejtësi pa filtra, ekonomia e vëmendjes shpërblen përmbajtjem që funksionon.
Algoritmi s’ka ideologji, ka stimuj. Ai e shpërblen përmbajtjen që ta prek trupin para se me ta prek trurin. Zemërimi është efikas. Frika është efikase. Poshtërimi është shumë efikas. “Ne jemi t’mirë, ata janë t’këqij” është format që shitet shpejt. E te na, raportet e ndryshme e thonë troç që media literacy është e ulët, pra jemi më të prekshëm ndaj manipulimit digjital dhe dezinformimit. Kjo s’është fyerje. Është diagnozë: kur s’di me dallu faktin prej montazhit, montazhi fiton.
Kosova është habitat perfekt: vend i vogël ku çdo konflikt duket personal, ku çdo fjali lexohet si sinjal sulmi, ku thashethemet udhëtojnë me vetëbesimin e fakti shkencor, ku ekonomia t’shtrëngon, e institucionet janë të brishta. Në demokracitë e pasuna kjo ekonomi e deformon realitetin. Te na, shpesh rrezikon me e zëvendësu. Smartphone-at erdhën shpejt, rezistenca qytetare jo. Hardueri u bo update, sistemi imunitar “softueri” mbeti në version të vjetër.
Nëse don me e kuptu qysh prodhohet polarizimi, mos e paramendo ni njeri n’ni dhomë t’errët. Është industri. Është linjë prodhimi.
1) Trigeri, një problem i vërtetë. Ni faturë, ni skandal, ni vonesë e ambulancës, ni poshtërim publik, ni tender, ni vendim gjyqi. Lënda e parë është reale.
2) Kompresimi, prej realitetit në përrallë morale. Heronj e tradhtarë, patriotë e shpijuna, t’pastërt e t’fëlliqtë. Kompleksiteti hiqet, konteksti fshihet. Nëse e vërteta s’përputhet, shtrihet, pastaj zëvendësohet me diçka që “ecë”.
3) Shpërndarja, pa ndalë. Publikimet “breaking” me ritmin e sahatit zviceran. Faqet e shpërndajnë dozën ditore. TikTok-u e kthen politikën në mimikë, përçmimi si argëtim. Viberi e WhatsApp-i e çojnë paketën nëpër familje, n’diasporë, n’lagje. Përralla s’vjen si propagandë, vjen si brengë: “A e pe?” Dhe raportet e monitorimit kanë evidentu gjuhë të urrejtjes, dezinformim e tregime të koordinuara, madje edhe në fushatën e zgjedhjeve 2025.
4) Rrethi vicioz, reagimi si karburant. Reagimi prodhon komente, komentet prodhojnë reach, reach-i prodhon “prova” për palën tande. Ekstremi bahet “normal talk”, njeri racional etiketohet naiv ose i shitur ose…
5) Normalizimi. Në fillim të duket e teprume, pastaj e zakonshme. Pastaj, nëse s’je pjesë e asaj gjuhe, dukesh i huaj n’vendin tand. Kjo ekonomi s’ka nevojë me ta ndrru mendimin me argument, i mjafton me ta ndrru refleksin.
Tragjedia s’është që njerëzit po zemërohen. Tragjedia është që zemërimi po bahet default. Çdo javë apokalips moral, çdo mospajtim tradhti, çdo vendim referendum identiteti. Ndërkohë ekonomia reale dështon pa zhurmë, i humb njerëzit kadale, i mban tjerët me nerva n’fyt. Kjo ekonomi bahet politike kur e zëvendëson kompetencën me performancë: politika prodhon armiq, media prodhon klikime, qytetari prodhon reagim.
E çmimin e sheh n’teksturën e jetës: te zyrtari publik që heziton, se çdo vendim mundet me u pre n’clip e me u shpërnda si “skandal”; te gazetari që s’trajtohet si pyetje, po si shënjestër; te mësuesja që e shmang temën e vështirë se i frikësohet screenshot-it te prindërit; e te njerëzit e meçëm që zgjedhin me heshtë, jo pse s’kanë çka me thonë, po pse s’kanë nerva me u shpifë për ta si sport nacional. Në vend të vogël, heshtja është humbje strategjike. Trupi është hala gjallë, po kapaciteti për realitet të përbashkët është dëmtu.
Si e sheh helmin, pa e pi vet? Prej kësaj dalim kur e pranojmë që s’është veç problem moral, është problem stimujsh.
Nëse don me e pa “paketimin” e helmit në kohë reale, kqyri këto shenja, pa u bo paranojak:
• Kur një nxitës i vërtetë kthehet brenda minutash në “tradhti”.
• Kur screenshot-i përdoret si fakt, pa burim, pa datë, pa kontekst.
• Kur i njëjti frame del në shumë faqe menjëherë.
• Kur dikush me pyetje e brenga paraqitet si armik, e jo si qytetar.
Ky shkrim është për me e kuptu dizajnin, që me mos u bo lëndë e parë e linjës së prodhimit të urrejtjes.
Sepse scroll-i ka me vazhdu. Pa fund. Dikush ka me fitu.
E ne po paketohemi, fjala në clip, politika në slogan, e jeta në valixhe me biletë një-drejtimshe.









