Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë ndryshuar qëndrim sa i përket dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe madje, synimi afatgjatë i SHBA-së, është njohja eventuale e ndërsjellë mes të dyja vendeve.
Kështu tha për Gazetën Online Reporteri.net një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, i cili shtoi se SHBA-ja pret që Kosova dhe Serbia t’i respektojnë angazhimet e tyre pa vonesa.
“Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk ka ndryshuar. Ne presim që Kosova dhe Serbia t’i respektojnë dhe zbatojnë plotësisht të gjitha angazhimet e tyre rreth dialogut, pa vonesa apo parakushte”, tha zëdhënësi i DASH-it.
Synimi afatgjatë i politikës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, siç u shpreh zëdhënësi i DASH-it, “është njohja eventuale e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Ai shtoi se “SHBA-ja vazhdon të mbështet fuqishëm dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si rrugë për të arritur një marrëdhënie të normalizuar, paqësore dhe produktive ndërmjet dy vendeve”.
“E ardhmja e të dy vendeve është në institucionet evropiane, normalizimi i marrëdhënieve të tyre përmes procesit të lehtësuar nga BE-ja është e vetmja rrugë përpara”, u shpreh tutje zëdhënësi i DASH-it për Gazetën Online Reporteri.net.
Ky reagim i Departamentit amerikan të Shtetit vjen pas deklaratave të ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill, i cili shprehu bindjen se njohja formale e Kosovës nuk do të jetë kusht për hyrjen e Serbisë në Bashkimin Evropian, por normalizimi i marrëdhënieve fqinjësore me të.
Në një intervistë për NIN, Hill tha se evropianët po i kërkojnë Beogradit “pikërisht atë që thonë se po e kërkojnë, që është normalizimi i marrëdhënieve” dhe shtoi se BE-ja dëshiron paqe dhe siguri në rajon, natyrisht edhe mes Kosovës dhe Serbisë.
Në anën tjetër, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është një sfidë që duhet tejkaluar vetëm me njohje reciproke dhe jo diçka më pak.
“Përfundimi i këtij procesi duhet të jetë njohja mes dy vendeve, sepse diçka më pak se kjo nuk e përmbush këtë vizionin që e kemi për një Evropë të plotë, të lirë, të begatshme dhe në paqe”, tha Hovenier ditë më parë.
Gjatë muajit prill të këtij viti, Bashkimi Evropian e pati kushtëzuar zyrtarisht integrimin e Serbisë me normalizimin e raporteve me Kosovën.
Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian miratoi më 22 prill vendimin përfundimtar për të ndryshuar kornizën negociuese për anëtarësim me Serbinë, duke e kushtëzuar pranimin e saj me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Siç raporton Radio Evropa e Lirë, ky ndryshim ka të bëjë me kapitullin 35 të kornizës negociuese, në të cilin zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën tani bëhet edhe kusht formal për Serbinë në procesin e negociatave të anëtarësimit në bllok.
Në tekstin e ri të kornizës negociuese si kusht është vendosur kjo fjali: “Serbia zbaton plotësisht obligimet që dalin nga Marrëveshja në rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, sipas Aneksit të zbatimit të saj, siç ishin pajtuar më 18 mars të vitit 2023”.
Gjatë së premte, për këtë çështje reagoi edhe Gjermania.
Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, e ritheksoi qëndrimin e Gjermanisë se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllet me njohje të ndërsjellë.
“Sa për ta rikujtuar: Lexojeni deklaratën e qartë të kancelarit Olaf Scholz gjatë vizitës së tij në Kosovë dhe në Serbi në qershor 2022, për normalizimin, përfshirë njohjen dypalëshe”, shkroi Rohde në rrjetin social X të enjten vonë.
Ai tha se “kjo vlen ende”, duke shtuar se rruga është tashmë e hapur për Kosovën dhe Serbinë përmes zbatimit “të menjëhershëm” të marrëveshjeve të arritura më 2023 për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore./Reporteri.net/.