Një kujtim i gjallë dhe prekës, që sjell mall e krenari për njërën nga figurat më të mëdha të luftës çlirimtare – heroin Abdullah Tahiri.
Ishte pranverë e vitit 1998. Datën e saktë nuk e kujtoj, por momentin po. Erdhi papritur në shkollë dhe më nxori nga klasa për një përshëndetje që do të më mbetet përjetë në zemër.
Me buzëqeshjen e tij karakteristike, plot energji dhe optimizëm, më tha:
“Aaaa axhit… jam tu shku në një dasëm t’madhe, e s’e di kur kthehna.”
Atëherë nuk e kuptova domethënien e vërtetë të këtyre fjalëve. Vetëm më vonë e kuptova se “dasma” ishte lufta për çlirim, “krushqit” ishin djemt dhe vajzat e UÇK-së, dhe “nusja” ishte liria e Kosovës.
Abdullah Tahiri ishte ndër të parët që organizoi rezistencën në Anamoravë. Një strateg dhe luftëtar i vendosur, që me vizionin dhe guximin e tij, frymëzoi qindra të rinj për t’u bashkuar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Ai shkoi në “dasmë” me bindjen se liria do të vinte, edhe nëse ai vetë nuk do ta shihte. Dhe ashtu ndodhi – u kthye në përjetësi, në historinë më të ndritur të këtij vendi.
Kujtimi për të jeton në çdo zemër shqiptare që e çmon sakrificën për liri.
Lavdi e përjetshme heroit të kombit, Abdullah Tahiri – Dulla!
Lavdi të gjithë dëshmorëve të lirisë! 🇦🇱