Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot do të takohet me krerët e partive politike, për të diskutuar rreth datës së zgjedhjeve lokale, shkruan Express
Takimin e Osmanit me partitë politike e ka konfirmuar për Express këshilltari i saj për media, Bekim Kupina.
Ai ka deklaruar se të mërkurën Osmani do të takohet me të gjitha partitë politike.
I pari në takim Osmanit pritet t’i shkojë kreu i VV’së, Albin Kurti. Këtë për Express e ka konfirmuar zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka.
Takimi do të mbahet në orën 13:00, pritet të shkojë kryetari”, ka deklaruar Manxhuka.
Pas Kurtit, Osmani do ta takojë përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës. Zëdhënësi i PDK-së, Bashmir Xhemaj, ka deklaruar për Express se përfaqësuesit e kësaj partie do të takohen me Osmanin në orën 14:00.
Në orën 16:15 Osmanit do t’i shkojë në takim kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Këtë për Express e ka konfirmuar zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi.
“Takimi mbahet në orën 16:15. Në takim do të shkojë kryetari Lumir Abdixhiku”, ka deklaruar Halimi.
Ndërkaq zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Lulëzim Blaka, ka thënë për Express se këtë parti në takim do ta përfaqësojë sekretari i përgjithshëm i partisë, Besnik Tahiri.
“Në orën 17:00 është takimi me Presidenten. AAK përfaqësohet nga z.Besnik Tahiri, Sekretar i Përgjithshëm”, ka deklaruar Blaka.
Ndryshe, zgjedhjet komunale do të mbahen në tetor të këtij viti.
Disa nga partitë politike tashmë kanë zyrtarizuar kandidatët e tyre me të cilët do të garojnë në zgjedhjet komunale.