Pasi presidentja e vendit, Vjosa Osmani i ka ftuar subjektet politike në konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale, ka reaguar hulumtuesi i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës, Eugen Cakolli.
Cakolli përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se edhe pse kjo është brenda afatit ligjor, procesi ka mundur të iniciohej shumë më herët.
“Prej muajsh për të pasur më shumë fleksibilitet dhe më shumë data në dispozicion”, ka shkruar ai.
Sipas tij, tashmë kanë mbetur vetëm 7 të diela të mundshme (nga 14 sa ishin në total) kur mund të mbahen zgjedhjet lokale.
Ndryshe, presidentja Vjosa Osmani tashmë ka nisur procesin e konsultimeve me partitë politike për caktimin e datës së këtyre zgjedhjeve. Një takim i tillë pritet të mbahet nesër mes Osmanit dhe partive politike.