Gordana Silanovska-Davkova e ka bërë betimin të dielën si gruaja e parë presidente e Maqedonisë së Veriut prej pavarësimit të vendit në vitet ’90, pasi i fitoi zgjedhjet presidenciale më 8 maj.
Davkova e mposhti presidentin e deritanishëm, Stevo Pendarovski, duke fituar dyfish më shumë vota se ai në balotazhin e së mërkurës.
Pasi u betua gjatë një seance para përbërjes në largim të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Davkova, megjithatë, gjatë fjalimit të saj e shmangu fjalën “e veriut” në emrin e shtetit, ashtu siç kishte paralajmëruar gjatë fushatës së saj.
Në vitin 2018 u arrit një marrëveshje në Prespë me Greqinë për ndryshimin e emrit nga Maqedoni në Maqedonia e Veriut, duke i dhënë fund mosmarrëveshjeve shumëvjeçare dhe duke i hapur rrugën përpjekjeve të vendit për integrim në BE dhe NATO.