Pas takimeve të fundit të ndara në Bruksel ndërmjet me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, shefi i diplomacisë së BE’së Josep Borell ka dalë me propozime konkrete që palët duhet t’i bëjnë për ta shtensionuar situatën.
Borelli i kërkoi Kosovës, që menjëherë të pezullojë operacionet policore në ndërtesat e komunave në veri dhe që katër kryetarët e komunave përkohësisht t’i kryejnë detyrat jashtë zyrave komunale, ndërsa Serbia duhet të sigurojë që protestuesit të largohen nga ndërtesat e komunave njëkohësisht me largimin e Policisë së Kosovës.
Emisari i BE’së Miroslav Lajcak në një intervistë të publikuar në Euroneës Serbia tha se nuk ka afat zyrtar për pranimin e këtij plani.
“Nuk ka një afat zyrtar. Por në politikë gjithçka është e lidhur. Shihni sa përfaqësues të lartë ndërkombëtarë janë të angazhuar në këtë çështje. Ne patëm telefonata nga presidentja e KE-së Ursula von der Leyen dhe Sekretari Amerikan i Shtetit Anthony Blinken. Situata është aq e tensionuar dhe serioze, saqë zyrtarët më të lartë botërorë duhet të merren me të dhe të përfshihen në zgjidhjen. E gjithë kjo disi reflektohet në atmosferën në bashkësinë ndërkombëtare, në imazhin e Kosovës, Serbisë dhe të gjithë rajonit. Pra, mendoj se është në radhë të parë në interes të Serbisë dhe Kosovës që kjo çështje të zgjidhet dhe rajoni të merret me çështje evropiane, jo me menaxhimin e krizave” ka thënë Lajçak.
Ai shtoi se Kurti dhe Vuçiqi e kanë kuptuar se sa e rëndë është situata, dhe kjo sipas tij, është gjëja pozitive nga ky takim.
“Ai takim të enjten e kaluar në Bruksel ishte një takim për menaxhimin e krizës. Pra, nuk ishte një takim kushtuar normalizimit, dialogut, fatkeqësisht. Gjëja pozitive është se edhe Vuçiq edhe Kurti e kuptuan se sa e rëndë është situata. Askush nuk e fsheh këtë dhe nuk pretendon se nuk kemi krizë serioze në veri. Dhe së dyti, ata ranë dakord se një nga elementët kryesorë të daljes nga kriza janë zgjedhjet e reja. Aty ku ata nuk u pajtuan ishte çështja e de-përshkallëzimit. Si do të funksionojnë këta kryetarë dhe nga ku”, shtoi ai.