Lidhja Demokratike e Kosovës- Dega Gjilan, ka mbajtur konferencë për media në selinë e LDK-së në Gjilan.
Nënkryetari i LDK-së në Gjilan, z. Arbër Ismajli dhe anëtari i Kryesisë së Degës, prof. Burim Berisha, kanë mbajtur konferencë për medie, duke paraqitur shqetësimet e degës për ndodhitë e fundit në Komunën e Gjilanit.
Nënkryetari i LDK-së para medieve dhe qytetarëve, ngriti shqetësimin për alarmimin që kanë dhënë HANDIKOS, Shoqata Ndërkomunale e të Verbërve dhe qendra “Pema”, për pezullimin e aktiviteteve të tyrë në mungesë të fondeve.
“Ekziston një vendim i Kuvendit Komunal për ndarjen e një shume të caktuar për këto organizata, dhe pavarësisht vështirësive financiare, ky vendim duhet të zbatohet, sepse pezullimi i punës së këtyre qendrave nuk duhet të ndodh për asnjë arsye”,- tha nënkryetari Ismajli, para medieve.
Në anën tjetër, skandal i madh i qeverisjes komunale është edhe raporti i fundit i auditimit. Komuna e Gjilanit edhe këtë herë, si vitin e kaluar, është vlerësuar me Opinion të Kualifikuar, që nënkupton se ka pasur shkelje drastike nga ana e ekzekutivit në keqmenaxhim, keqklasifikim e keqpërdorim të parasë publike. Rreth 6 milionë euro, në Komunën e Gjilanit, janë përdorur pa procedura ligjore, në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik. 29 gjetje vetëm këtë vit, asnjë përmirësim nga viti i kaluar, vetëm më keq, vetëm më rëndë!
“Me këtë raport, ne do të mbesim edhe këtë vit dhe vitin e ardhshëm pa grant të performancës, pa mundësi të kredive për projekte madhore, e do të rangohemi përsëri shumë poshtë në matjen e transparencës komunale”, – tha prof. Berisha para medieve.
Si LDK, Komunën e Gjilanit e notojmë dobët, pa asnjë notë kaluese në asnjë fushë!