Avni Dehari fajësoi prokurorët e rastit, duke thënë se të njëjtit janë të manipuluar, derisa shtoi se arrestimi i Astritit asokohe ishte i inskenuar, për qëllime politike.
Sot janë bërë 7 vjet nga vrasja e Astrit Deharit, andaj sot nga ora 12:00 dhjetëra qytetarë protestuan përballë Prokurorisë Speciale në Prishtinë, për siç thanë ata, shkaku i neglizhencës së Prokurorisë, në hetimin e vrasjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje.
I pranishëm në këtë protestë ishte edhe babai i Astritit, Avni Dehari, i cili fajësoi prokurorët e rastit, duke thënë se të njëjtit janë të manipuluar, derisa shtoi se arrestimi i Astritit asokohe ishte i inskenuar, për qëllime politike.
“Po bahen 7 vite që ne si familje dhe e gjithë shoqëria po kërkojmë drejtësi për vrasjen e Astrit, në burgun e Prizrenit. Arrestimi i Astritit, ishte një arrestim i inskenuar i politikës së kohës së atëhershme, për qëllime politike dhe jo për veprën që ishte kryer, sepse të gjithë shokët e Astriti ishin shpallur të pafajshëm… Vet fakti që 7 vite nuk u zbardh rasti, flet shumë së është një drejtësi e manipuluar nga vet prokurorët, si prokurori Sylë Hoxha për 2 vite me radhë e keqtrajtoi këtë rast derisa poli në pension e po ashtu në ditët e para ende pa përfunduar analizat e duhura, u përpoq ta mbledhë vdekjen e Astriti si vetëvrasje dhe siç po duket edhe pasuesi i tij Afrim Shefkiu po vazhdon të manipuloj me këtë rast njëjtë”, tha ai.
Tutje edhe avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi tha se ende nuk dihen arsyet se pse nuk po jepen informata se çfarë po ndodh me këtë rast.
“Deri më tani prokuroria nuk e ka përfunduar rasti ashtu siç kërkohet. I ka të gjitha provat që Dehari u ra mirëpo ne nuk i dimë arsyet por besojmë që nuk janë arsye ligjore se për çfarë arsye prokuroria deri më tani nuk ka nxjerrë së paku një aktvendim për zhvillimin e hetimeve në këtë rast, në zbulimin e emrave të vrasësve të Deharit, emrat e atyre që nxiten vrasjen e tij. Ne e dimë që një dëshmitar i cili ka qenë në dhomë me Astrit Dehari ka vdekur në rrethana të pasqaruara është vrarë. Nuk po e dimë se cila është arsyeja pse nuk po jepet informata se çfarë po ndodhë me këtë rast”, tha Gashi.
Kujtojmë se Astrit Dehari ka vdekur më 5 nëntor 2016 teksa po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Ai kishte qenë në paraburgim, si i dyshuar për sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit të datës 4 gusht 2016. Rrethanat e vdekjes së 26-vjeçarit ende mbetën të pasqaruara dhe nuk dihet se çfarë saktë kishte ndodhur në qelinë e tij në qendrën e paraburgimit.