Gjilan- Të akuzuarit Fadil Abazi, Florim Ramaj, Rafiz Shabiu, Shaip Korrani dhe Selim Sjediu, zyrtar komunal, nuk e kanë pranuar fajësinë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, të cilët akuzohen se dëmtuan buxhetin e Komunës së Vitisë në shumën prej 39 mijë e 29 euro e 8 centë.
Deklarimin rreth fajësisë, të akuzuarit Abazi, Ramaj, Shabiu, Korrani dhe Sejdiu, e bënë të enjten në Gjykatën Themelore në Gjilan, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Isuf Sadiku raporton “Betimi për Drejtësi”.
Përfaqësuesi i Komunës së Vitisë, Ibrahim Ramadani, ka paraqitur kërkesën pasurore-juridike, ndërsa sa i përket ndjekjes penale deklaroi që lihet në kompetencë të gjykatës.
Shqyrtimi gjyqësor ka vazhduar me fjalën hyrëse, ku prokurori Sadiku tha se mbetet në tërësi pranë aktit akuzues pa plotësime dhe ndryshime, duke konsideruar se të akuzuarit kanë kryer këto vepra penale që iu vihen në barrë dhe për këtë ka prova ligjërisht të pranuara të mjaftueshme dhe bindëse të cilat janë propozuar për t’u administruar, andaj i ka propozuar gjykatës që të vazhdohet me shqyrtimin gjyqësor.
Mbrojtësi i të akuzuarit Fadil Abazi, avokati Shemsedin Pira në fjalën hyrëse tha se këto prova nuk faktojnë se i mbrojturi i tij në kohën, vendin dhe mënyrën e përshkruar në tre dispozitivët e aktakuzës të ketë kryer këto vepra penale dhe gjatë shqyrtimit gjyqësor konsideron se do të vërtetohet pafajësia e tij.
Mbrojtësi i të akuzuarit Florim Ramaj, avokati Sevdail Robelli në fjalën hyrëse tha se aktakuza sa i përket të akuzuarit Ramaj nuk është e mbështetur në prova dhe e tëra është e bazuar nga raportet e policisë, të dëshmitarëve që do të dëgjohen, ku gjatë shqyrtimit gjyqësor do të bindet trupi gjykues se i mbrojturi i tij nuk i ka kryer veprat penale.
Mbrojtësi i të akuzuarit Rafiz Shabiu, avokati Ilir Shaqiri në fjalën hyrëse tha se aktakuza lidhur me të akuzuarin Shabiu është e paqëndrueshme e pabazuar dhe e paargumentueshme, ku gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet pafajësia e tij.
Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Shaip Korrani, avokati Sherif Sherifi në fjalën hyrëse tha se gjatë procedurës penale të shqyrtimit gjyqësor, nga provat të cilat do të administrohen do të vërtetohet pafajësia e të akuzuari Korrani.
Mbrojtësi i të akuzuarit Selim Sejdiu, avokati Ekrem Pira në fjalën hyrëse tha se aktakuza nuk e ka kaluar një dyshim të bazuar që do të bindte një vështrues pasiv që vepra është kryer.
Tutje, seanca gjyqësore ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Ramadan Ramadani, zyrtar policor, i cili tha se mbetet pranë raportit të hetuesisë dhe pranë shënimeve zyrtare.
Në këtë fazë të procedurës, mbrojtësit e të akuzuarve kanë njoftuar gjykatën që raportin e hetuesisë të 24 marsit 2021 e as shënimet zyrtare nuk i kanë marrë nga prokuroria.
Tutje, mbrojtësit e të akuzuarve kanë kërkuar nga gjykata që të pajisen me raportet dhe shënimet zyrtare dhe për shkak të materialit që është voluminoz iu nevojitet kohë që ta analizojnë, ngase dëshmitari i lartcekur paraqitet si dëshmitar kryesor.
Andaj, njëzëri i kanë propozuar gjykatës qe seanca e sotme të shtyhet.
Të akuzuarit e kanë mbështetur deklarimin e mbrojtësve të tyre, ndërsa propozimin e tillë e ka kundërshtuar prokurori Sadiku.
Më pas, gjyqtari Sabedin Mushica, ka aprovuar propozimin e mbrojtësve të të akuzuarve që seanca e sotme të shtyhet për arsyet e lartcekura dhe të radhës e caktoi më 7 shtator 2022.
Ndryshe, sipas aktakuzës, të pandehurit Florim Ramaj dhe Fadil Abazi në cilësinë e personave zyrtarë, në Komunën e Vitisë, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tyre zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo për personin tjetër apo që t’i shkaktojnë dëm personit tjetër, me dashje kanë tejkaluar kompetencat dhe kanë shkelur detyrat e tyre të domosdoshme të përcaktuara me ligj.
Aktakuza thotë që fillimisht i pandehuri Florim Ramaj në cilësinë e personit zyrtar- menaxher i projektit, ka ofruar dokumentacion të rrejshëm kinse janë kryer punimet në rrugën “Lavdia e UÇK-se” në fshatin Terpezë, Komuna e Vitisë dhe në rrugën “Berjanët” në fshatin Pozheran, duke ofruar dokumentacion se kinse është hedhur zhavor përkitazi me tenderin “Asfaltimi i Rrugëve Rurale për LOT I”, ku është përfshirë rr. “Lavdia e UÇK-se” në fshatin Terpezë dhe rruga “Berjanët “ në fshatin Pozheran.
Sipas aktakuzës, pasi që i pandehuri Florim Ramaj i ka ofruar dokumentacionin e lartpërmendur, i pandehuri Fadil Abzi në cilësinë e personit zyrtar- menaxher i prokurimit në Komunën e Vitisë, gjatë dhënies së tenderit “Asfaltimi i Rrugëve Rurale për LOT I, ku është përfshirë Rr. “Lavdia e UÇK-së” me gjatësi prej L-285m në fshatin Tërpezë, ka bërë urdhërpagesën për shtrimin e rrugës me asfalt dhe ka paguar gjithsej 11 mijë e 100 euro e 75 centë dhe pastaj më 8 prill 2020, për të njëjtën rrugë “Lavdia e UÇK-së” në fshatin Tërpezë, ka nënshkruar urdhërpagesë, për shtrim me zhavor (… ngjeshje e materialit guror), në vlerë prej 6 mijë e 870 euro.
Aktakuza thotë se pas shtrimit me asfalt ka bërë pagesë për shtrim me zhavor, me të cilin veprim – pagesë prej 6 mijë e 870 euro, e kanë dëmtuar Komunën e Vitisë, si dhe më 8 prill 2020, ka lëshuar urdhërpagesë sipas tenderit të vitit 2019 për asfaltimin e rr. “Berjanët ” me gjatësi L-485m në fshatin Pozheran, në vlerë prej 18 mijë e 890 euro, pastaj po për të njëjtën rrugë “Berjanët” në fshatin Pozheran, ka nënshkruar urdhërpagesë më 8 prill 2020, në vlerë prej 2 mijë e 877 euro, për shtrimin me zhavor (… ngjeshja e materialit guror) pra, pas shtrimit të rrugës me asfalt ka bërë pagesë për shtrim me zhavor, me të cilin veprim- pagesë në vlerë prej 2 mijë e 877 euro, e kanë dëmtuar Komunën e Vitisë.
Me çka, akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, e dënueshme me burgim prej tre deri në dhjetë vjet.
Sipas diapozitivit të dytë, të pandehurit Florim Ramaj dhe Fadil Abazi në cilësinë e personave zyrtarë, në Komunën e Vitisë, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tyre zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo për personin tjetër apo që t’i shkaktojnë dëm personit tjetër, me dashje, kanë tejkaluar kompetencat dhe kanë shkelur detyrat e tyre të domosdoshme të përcaktuara me ligj.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri Florim Ramaj në cilësinë e personit zyrtar- menaxher i projektit, gjatë ekzekutimit të kontratës, të 18 korrikut 2019, për tenderin “Asfaltimi i rrugëve rurale për LOT I dhe LOT II”, në Viti, ka eliminuar- larguar nëntë rrugë të cilat sipas njoftimit për kontratë dhe kontratës kishin për t’u asfaltuar, ka shtuar tri rrugë të reja që nuk ishin kontraktuar duke e shtuar investimin në rrugët e kontraktuara, ku nuk i kishte asfaltuar tri rrugë Dega “Daut Zenuni”, Viti, dega “Gjashtë dëshmorët”, në fshatin Lubishtë, dhe Rr “Mulliri”, në fshatin Begucë, ndërsa tri rrugë në fshatin Skifteraj dhe atë rruga dega “Varrezat e fshatit” në vlerë prej 6 mijë e 804 euro e 15 centë, Rr. “Xhamia e Re-1” në vlerë prej 5 mijë e 230 euro dhe dega “21 Shtatori”, në vlerë prej 1 mijë e 951 euro e 25 centë, që nuk kanë qenë pjesë e kontratës dhe as në njoftimin për kontratë, janë asfaltuar.
Në aktakuzë thuhet se pastaj i pandehuri Fadil Abazi në cilësinë e personit zyrtar- menaxher i prokurimit në Komunën e Vitisë, gjatë ekzekutimit të kontratës së 18 korrikut 2019, për tenderin “Asfaltimi i rrugëve rurale LOT, I,II në Komunën e Vitisë”, ka nënshkruar urdhërblerjet edhe për tri rrugët në fshatin Skifteraj që nuk kanë qenë pjesë e kontratës dhe as në njoftimin për kontratë ku pas kësaj është bërë pagesa e këtyre rrugëve dega “Varrezat e fshatit”, në vlerë prej 6 mijë e 804 euro e 15 centë, rr. “Xhamia e Re-1”, në vlerë prej 5 mijë e 230 euro, dega “21 Shtatori”, në vlerë prej 1 mijë e 951 euro e 25 centë, me çka e kanë dëmtuar Komunën e Vitisë me gjithsej 13 mijë e 985 euro e 50 centë.
Me këtë, akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, e dënueshme me burgim prej tre deri në dhjetë vjet.
Në dispozitivin e tretë të aktakuzës thuhet se i pandehuri Fadil Abazi në cilësinë e personit zyrtar- menaxher i prokurimit në Komunën e Vitisë, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo për personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër, me dashje, ka tejkaluar kompetencat dhe ka shkelur detyrat e tij të domosdoshme të përcaktuara me ligj.
Aktakuza thotë që më 21 maj 2020, në kundërshtim me dispozitat ligjore të LPP¹-së dhe Udhëzuesit Operativ për Prokurimin Publik², kishte shpallur njoftim për kontratë, punë me titull “Rregullimi i rrugëve rurale në Komunën e Vitisë”, kontrata e nënshkruar më 3 shtator 2020, kontrata kornizë, punë me çmime për njësi prej 840 euro, si rrjedhojë bazuar në dispozitat ligjore dhe akteve nënligjore kontrata publike kornizë me çmime për njësi lejohet për punë mirëmbajtje por në asnjë mënyrë nuk lejohet për punë ndërtimore- riparim.
Me çka, akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 të KPRK-së, e dënueshme me burg prej një deri në tetë vjet
Në dispozitivin e katërt thuhet se i pandehuri Florim Ramaj në cilësinë e personit zyrtar-menaxher të projektit, në Komunën e Vitisë, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo për personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër, me dashje, ka tejkaluar kompetencat dhe ka shkelur detyrat e tij të domosdoshme të përcaktuara me ligj.
Në aktakuzë thuhet se ka përpiluar raportet e asfaltimit të rrugëve rurale për LOT I dhe LOT II, në Komunën e Vitisë se janë kryer konform paramasave dhe parallogarisë dhe në bazë të këtyre raporteve janë bërë pagesat ku është konstatuar se këto rrugë janë asfaltuar me mangësi edhe atë: Dega rr.”Dëshmorët e Kombit” në Viti, e kontraktuar me gjatësi L-135 dhe gjerësi 3.5 m, ndërsa matjet nga ekspertiza e ekspertit gjeodet është konstatuar se kjo rrugë është asfaltuar L-115.27 dhe gjersia B=3.05-3.15m, pra kjo rrugë është asfaltuar më pak, shprehur në total D=108.61 m2, për çmimin e Bitoagregatit (asfaltit) 7 €3, për metër m2, e që kjo kapë vlerën prej 760 euro e 27 centë, rruga “Varrezat e Vreshtat”, në fshatin Smirë, është kontraktuar me gjatësi L 370 dhe gjerësi B=3.5 m, ndërsa matjet nga ekspertiza e ekspertit gjeodet është konstatuar se kjo rrugë është asfaltuar L-369.32 dhe gjerësia B=3.05m, pra kjo rrugë është asfaltuar më pak në total prej D=175 m2, për çmimin e Bitoagregatit (asfaltit) 7.00 €, për metër që kapë vlerën 1 mijë e 225 euro, rruga “Hasani”, te varrezat e fshatit Ramnishtë, e kontaktuar me gjatësi L=340 dhe gjerësi B=3.5m.
Ndërsa, matjet nga ekspertiza e ekspertit gjeodet është konstatuar se kjo rrugë është asfaltuar L-303.43m dhe gjerësia B=3.50m, pra kjo rrugë është asfaltuar më pak në total prej D=112.84 m2, për çmimin e Bitoaregatit (asfaltit) 7.00 €, për metër që kapë vlerën 789 euro e 88 centë, e që në total për këto rrugë të Lot I, sipas raportit të matjeve nga ekspertiza e ekspertit gjeodet, janë asfaltuar më pak në D=396.45 m2, ku e shprehur në vlerë 396.45 m2x7.00 €, 2 mijë e 775 euro e 15 centë, ku i pandehuri Florim Ramaj, me përpilim të raporteve të mbikëqyrjes së këtyre rrugëve për Lot I, ka dëmtuar buxhetin e Komunës së Vitisë, për vlerën prej 2 mijë e 775 euro e 15 centë.
Me çka, akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 1 të KPRK-së, e dënueshme me burg prej një deri në tetë vjet.
Në dispozitivin e pestë të aktakuzës thuhet se të pandehurit në cilësinë e personave zyrtarë – Rafiz Shabiu kryetar, Shaip Korrani dhe Selim Sejdiu anëtarë të komisionit për kontrollim dhe pranim teknik pranë zyrës së prokurimit në Viti, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tyre zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo për personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër, me dashje kanë tejkaluar kompetencat dhe kanë shkelur detyrat e tyre të domosdoshme të përcaktuara me ligj.
Thuhet se, më 9 korrik 2020 kanë nënshkruar dokumentacion përkitazi me kontrollimin dhe pranimin teknik se kinse janë kryer punimet në tenderin “Asfaltimi i Rrugëve Rurale” për LOT 14, ku është përfshirë: Rr. “Lavdia e UÇK-së” në fshatin Terpez në vlerë prej 6 mijë e 870 euro, dhe rruga “Berjanët “në fshatin Pozheran në vlerë prej 2 mijë e 877 euro, dhe më pas e kanë nënshkruar dokumentacionin se kinse është hedhur zhavor (… ngjeshje e materialit guror) pasi janë asfaltuar rrugët e lartcekura, me çka e kanë dëmtuar Komunën e Vitisë me shumat e lartpërmendura.
Me këtë, akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, e dënueshme me burgim prej tre deri në dhjetë vjet.
Tutje, në diapozitivin e gjashtë të aktakuzës thuhet se të pandehurit Rafiz Shabiu, Shaip Korrani dhe Selim Sejdiu në cilësinë e personave zyrtarë – Rafiz Shabiu kryetar, Shaip Korrani dhe Selim Sejdiu anëtarë të komisionit, për kontrollim dhe pranim teknik pranë zyrës së prokurimit në KK në Viti, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tyre zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo për personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër, me dashje, kanë tejkaluar kompetencat dhe kanë shkelur detyrat e tyre të domosdoshme të përcaktuara me ligj,
Sipas aktakuzës, me pranimin teknik të rrugëve për LOT I, edhe atë dega rr. “Dëshmorët e Kombit ” në Viti, e kontraktuar me gjatësi L-135 dhe gjerësi 3.5 m, ndërsa nga matjet nga ekspertiza e ekspertit gjeodet është konstatuar se kjo rrugë është asfaltuar L=115.27m dhe gjerësia B=3.05-3.15m, pra kjo rrugë është asfaltuar më pak, shprehur në total D=108.61 m2, për çmimin e Bitoagregatit (asfaltit) 7 €, për metër m2, e që kjo kapë vlerën prej 760 euro e 27 centë, rruga “Varrezat e Vreshtat”, në fshatin Smirë, është kontraktuar me gjatësi L-370 dhe gjerësi B-3.5 m, ndërsa nga matjet nga ekspertiza e ekspertit gjeodet është konstatuar se kjo rrugë është asfaltuar L-369.32 dhe gjerësia B=3.05m, pra kjo rrugë është asfaltuar më pak në total prej D=175 m2, për çmimin e Bitoaregatit (asfaltit) 7.00 €, për metër që kap vlerën 1 mijë e 225 euro, rruga “Hasani”, te varrezat e fshatit Ramnishtë, e kontaktuar me gjatësi L=340 dhe gjerësi B=3.5m.
Ndërsa, thuhet se nga matjet nga ekspertiza e ekspertit gjeodet është konstatuar se kjo rrugë është asfaltuar L-303.43m dhe gjerësia B=3.50m, pra shohim se kjo rrugë është asfaltuar më pak në total prej D=112.84 m2, për çmimin e Bitoaregatit (asfaltit) 7.00 €, për metër që kapë vlerën 789 euro e 88 centë, e që në total për këto rrugë të Lot I, sipas raportit të matjeve nga ekspertiza e ekspertit gjeodet, janë asfaltuar më pak në D=396.45 m2, ku e shprehur në vlerë 396.45m2 x 7.00 € = 2 mijë e 775 euro e 15 centë, ku të pandehurit e kanë dëmtuar buxhetin e Komunës së Vitisë, për vlerën prej 2 mijë e 775 euro e 15 centë.
Me çka, ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, e dënueshme me burgim prej një deri në tetë vjet.
Në dispozitivin e tetë thuhet se të pandehurit Rafiz Shabiu, Shaip Korrani dhe Selim Sejdiu në cilësinë e personave zyrtarë – Rafiz Shabiu kryetar, Shaip Korrani dhe Selim Sejdiu anëtarë të komisionit për kontrollim dhe pranim teknik pranë zyrës së prokurimit në KK në Viti, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tyre zyrtar, përpilojnë dokumentacion të falsifikuar në atë mënyrë plotësojnë dokumentacion për pranim teknik të rrugëve për LOT I dhe LOT II të 9 korrikut 2020, ashtu që pa qenë prezent fare Bekim Rexhepi, pa autorizim, e vendosin emrin e tij në dokumentacionin përkatës, kinse ka qenë prezent gjatë pranimit teknik të rrugëve për LOT I dhe LOT II.
Me çka, ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve” nga neni 391, paragrafi 1 nënpar. 1.1. lidhur me nenin 31 të KPRK-së, e dënueshme me burgim prej një deri në tetë vjet. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.