Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka reaguar pas kritikave në drejtim të tij për nënshkrimin e një marrëveshje me një kolegj privat.
Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, Aliu thotë se sot ka qenë e planifikuar që të nënshkruhet marrëveshje me Universitetin e Prishtinës.
“Bashkëpunimi me universitetet, profesorët dhe studentët, do të sjellë ide dhe energji të reja, por mbi të gjitha angazhim të profesionistëve në sektorët që koordinon Ministria jonë. Ne besojmë tek kapacitetet intelektuale e profesionale të shoqërisë dhe shtetit tone”, ka shkruar ndër të tjera Aliu, transmeton Indeksonline.
Postimi i Aliut:
Të nderuar qytetarë, ju falënderoj që po shprehni shqetësimin tuaj në lidhje me raportin e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës me Universitetet Publike.
Për të qenë të saktë dhe transparentë, sot ka qenë e planifikuar që të nënshkruhet marrëveshja me Universitetin e Prishtinës. Përkundër vullnetit tonë, në pamundësi për të realizuar këtë sot, nënshkrimi i bashkëpunimit me UP është shtyrë për ditën e nesërme.
Bashkëpunimi me universitetet, profesorët dhe studentët, do të sjellë ide dhe energji të reja, por mbi të gjitha angazhim të profesionistëve në sektorët që koordinon Ministria jonë. Ne besojmë tek kapacitetet intelektuale e profesionale të shoqërisë dhe shtetit tonë.
Në asnjë mënyrë, qasja jonë nuk është selektuese e as diskriminuese apo favorizuese, por në përputhje me të mirën publike dhe me strategjinë e Ministrisë, në interes të projekteve zhvillimore të cilat i kemi në plan t’i realizojmë.
Jemi të perkushtuar që me transparencë të plotë, të bashkëpunojmë me të gjitha universitetet dhe akademinë pa përjashtim, në mënyrë që të instalohen praktikat më të mira në këtë kontekst.