Deputeti i AAK-së, Shkumbin Demaliaj në Interaktiv të KTV-së ka thënë se nuk turpërohen që familjarët e militantët e tyre janë punësuar në institucione publike, madje insistonte se do të punësonte një njeri të AAK-së para të tjerëve.
Ai thotë se sikur të mundte të gjithë të AAK-së do t’i punësonte. E gjithmonë do të zgjidhte një të Aleancës në kushte të barabarta.
“Sikur të mundja me i punësuar të gjithë të Aleancës sonte i kisha punësuar. Të gjithë e kanë bërë këtë e pse të mos e bëjmë edhe ne. Me admirim e them se pse të mos jenë të punësuar ata të Aleancës. Nëse janë të barabartë unë e kisha pranuar në punë atë që është me AAK-në. Sa herë që të hapet në konkurs, nëse është një i Aleancës dhe i përshtatet atëherë i them të konkurrojë”, është shprehur Demaliaj.
Demaliaj është pyetur edhe për punësimin e gruas së tij në kompaninë Pastrimi, për të cilën thotë se ajo është punësuar para se AAK-ja të jetë në pushtet dhe aty është me meritë.
“Punësimet janë pjesë e proceseve e gjithmonë duke respektuar. Nuk e drejtoj atë kompani publiku dhe ata kanë organogram. Bashkëshortja ime nuk është punësuar kur AAK-ja ka ardhë në pushtet, por kur aty ka qenë LDK-ja ajo është punësuar. Ajo është juriste e diplomuar, më parë nuk ka punuar pasi kemi pasur fëmijët e vegjël”, është shprehur Demaliaj.
Sipas tij militantët e AAK-së janë diskriminuar gjithmonë.
“Unë kam një obligim tjetër, jam deputet. Ne jemi mandatarë. Siç e dini të gjithë kanë premtuar 200 mijë vende të punës. Si Aleancë kemi qenë të diskriminuar. Gjithmonë ka pasur ankesa pasi dikush është më i afërt me një parti. Edhe sikur të ndodhte tash punësimi i gruas time. Nëse i plotëson kushtet, unë nuk kam të drejtë ta drejtoj gruan time se çfarë të punojë. Me rëndësi është që të jetë e kualifikuar. Mund të ketë ndikime indirekte, por me rëndësi të ketë kualifikime”, shprehet ai.
Demaliaj thotë se nuk është marre që të punësohen njerëzit.
“Është hapur Kutia e Pandorës, por nëse ka vend për hetim se janë pranuar pa kualifikim atëherë le të bëhet. Që të punësohen njerëzit nuk është marre, nëse ata i plotësojnë kushtet ata duhet të punësohen. Ne e dimë se të gjithë duan që të punojnë në institucione publike. Kemi nepotizëm edhe në institucione të pavarura. Sot jam deputet nesër mund të largohemi nga Kuvendi dhe më duhet të kërkoj punë. Në Kapitalizëm duhet të jetë gjindshmëria”, u shpreh ai.
Ai thotë se Vetëvendosje vetëm në Prishtinë kishte punësuar 450 persona, derisa shton se AAK-ja nuk e ka kapur Telekomin.
E dimë se vetëm në komunën e Prishtinës, Vetëvendosje ka pasur 450 të punësuar në kontratë mbi vepër. Nuk e ka kapur AAK-ja Telekomin. Ka qenë edhe marrëveshje që dikush i AAK-së me qenë menaxher i Telekomit. Kanë pas nevojë për shërbime dhe i kanë marrë këta njerëz në punë. Nuk e njoh natyrën e Telekomit por e njoh në kuadër të legjislacionit. Do të jetë një Komision Hetimor për ta hetuar gjendjen e Telekomit”, thotë Demaliaj.