Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se marrëveshja për ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi është dërguar në Kuvend për të enjten në orën 11:00.
“Projektligji i ri përmban raportin e komisionit Bulliqi dhe deklaratën e përbashkët të dy presidentëve, që nga ky moment parlamenti mund të veprojë. Sot kam kërkuar seancë të jashtëzakonshme për ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi. Ne nuk obligojmë Malin e Zi, është vendim i tyre, nëse e ratifikojnë marrëveshjen e re, apo e çratifikojnë tjetrën. Raporti i komisionit shtetëror, deklarata e dy presidentëve, Hashim Thaçi dhe Filip Vujanoviq na e ka shtuar terrenin, të ecim përpara”, ka thënë Haradinaj.
Sipas tij, është me rëndësi që është paraparë rishikimi në dy sektorë dhe janë falënderues ndaj Malit të Zi për një vullnet të tillë politik.
“Marrëveshja është nënshkruar nga presidenti i Malit të Zi, ne nuk i obligojmë ata dhe nuk kemi kërkesë ndaj tyre. Kuptohet që ratifikimi i marrëveshjes është i dakorduar me vullnet nga institucionet e Malit të Zi për ne mjafton të ecim përpara”, ka thënë ai