Vërshimet që kanë ndodhur javë më parë në Kosovë kanë shkaktuar shumë dëme materiale në disa komuna të Kosovës.
Mos vlerësimi i dëmeve nga ana e Qeverisë na ngjallur reagimet e opozitës.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka thënë se kjo neglizhencë e qeverisë për vlerësim të dëmeve është e pakuptueshme.
Ai në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se nuk ka logjikë njerëzore e as humane mos-veprimi i Qeverisë në këto situata.
“Është e pakuptueshme në të gjitha dimensionet, qoftë në aspektin human, njerëzor, solidar, qoftë edhe në aspektin juridik. Qeveria ka portofolin e vetë për këto situata emergjente, për vërshime dhe për situata të fatkeqësive natyrore. E pakuptueshme kjo neglizhencë, kjo përbuzje, ky injorim që i bëhet zonave të vërshuar, komunës së Skenderajt, Mitrovicës, Klinës dhe Istogut. Nuk ka logjikë as njerëzore, as humane mos-veprimi i Qeverisë në këto situata”, ka thënë ai.
Deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, ka thënë se veprimet e Qeverisë për këtë situatë, është dashur të jenë në mënyrë urgjentë.
Sipas saj, ka plotë familje në Kosovë që nuk kanë ku të jetojnë për shkak të dëmeve nga këto vërshime.
“Është dashtë të ketë masa emergjentë për sajimin e këtyre dëmeve sepse plotë njerëz kanë mbetur pa kulm në kokë e shtëpitë e tyre janë të pa banueshme. Të gjithë ata qytetarë që janë në një gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale dhe mezi e kalojnë muajin për shkak të inflacionit, për shkak të pagave të vogla, për shkak të pensioneve të vogla, që unë nuk e di se si arrijnë ta kalojnë, tash kanë plus një barrë tjetër shtesë që janë përmbytur shtëpitë e tyre. Mendoj që është dashtë që veprimet e Qeverisë të jenë në mënyrë emergjente, që t’i identifikojnë se sa familje kanë ngelur pa strehim, ku t’i vendosin, e t’i sigurojnë kushte për jetesë. Ne e kemi parë që deri sot nuk ka pasur asnjë ndihmë”, ka thënë ajo.
Në anën tjetër, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se veprimet për këtë çështje vendosen nga Qeveria.
Ajo ka thënë se formati dhe mënyra se si do të disbursohen mjetet është çështje e ekzekutivit që sipas saj brenda pak ditësh do të bëhet e njohur edhe për publikun.
“Veprimet konkrete vendosen nga Qeveria dhe jam e bindur se në momentin e marrjes së vlerësimeve të të gjitha zonave të prekura, të komunave të cilat janë prekur dhe kanë dëme të dukshme, do të ndikohet drejtpërdrejtë duke i ndihmuar, qoftë në aspektin e investimeve apo edhe fondeve të cilave do të ndahen në nivelin e komunave. Tash cili do të jetë formati edhe në çfarë mënyre do të disbursohen mjetet apo projektet që do të realizohen, është çështje e ekzekutivit që besoj se brenda pak ditësh do të bëhet e njohur edhe për publikun”, u shpreh ajo.