Gjykata Themelore në Gjilan, ka shqiptuar dënim me gjobë prej 200 eurosh ndaj shtetases gjermane B.A, e akuzuar për veprën penale “rrezikim i trafikut publik”.
Aktgjykimi është shpallur të mërkurën nga gjykatësi i çështjes, Behar Ymeri, sipas së cilit, dënimin duhet ta paguaj pasi aktgjykimi të marrë formën e prerë, si dhe është obliguar të paguaj edhe 20 euro për shpenzime të gjykatës, si dhe 30 euro për fondin e viktimave.
Pala e dëmtuar, E.L është e udhëzuar në kontest civil për realizimin e kompensimit të dëmit për lëndimet e pësuara gjatë aksidentit në trafik.
Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurores Huma Jetishi, e akuzuara B.A, e ka pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohej.
Ajo ka shtuar se ndihet keq për aksidentin që kishte shkaktuar.
“Më vjen keq që ky aksident ka ndodhë në vendin e juaj dhe më vjen keq për të dëmtuarën që është lënduar dhe nuk mund ta rikthej situatën pasi që ka ndodhur, dhe kërkoj nga gjykata të ma shqiptoj një dënim sa më të butë”, ka thënë ajo.
Ndërkaq, e dëmtuara E.L, ka thënë se nuk i bashkëngjitet ndjekjes penale, por paraqet vetëm kërkesë pasurore-juridike për kompensim dëmi për lëndimet trupore që kishte pësuar.
Seanca u zhvillua me përkthim në gjuhën gjermane, dhe e pandehura mbrojtjen e saj e dha vetëm pasi u njoftua nga gjyqtari se ka të drejt të kërkojë avokat me autorizim, por edhe të mbrohet vet.
Prokuroria Themelore në Gjilan kishte ngritur aktakuzë kundër B.A, sepse më 4 qershor 2018, në udhëkryqin në rrugën “Muharrem Ibrahimi”, e pandehura ka rrezikuar trafikun publik duke venë në rrezik jetën e njerëzve dhe pasurinë.
Sipas aktakuzës, duke drejtuar veturën “Opel Astra”, nga pakujdesia dhe në kundërshtim me Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor për shkak të mos respektimit të rrugës më përparësi kalimi, ashtu që duke bërë kyçje të pasigurt nga rruga dytësore në rrugën kryesore godet me pjesën e përparme në anën e djathtë automjetin “Octavia Shkoda”, të cilin e drejtonte E.L, ku përveç dëmeve materiale në dy veturat lëndime të lehta trupore pëson e dëmtuara , e cila për shkak të lëndimeve detyrohet të kërkojë shërbimeve mjekësore emergjente në spital.
Dënohet me gjobë shtetasja gjermane që akuzohej për rrezikim të trafikut publik
Ndani këtë artikull