Komisioni Disiplinor dhe i Etikës i Federatës së Futbollit të Kosovës vendosi të martën të dënojë ekipin me një pezullim nga prania e tifozëve në katër ndeshjet e tyre të ardhshme në terrenin e vet, si dhe me një gjobë monetare prej 1500 euro.
Vendimi ndaj ekipit gjilanas u mor pasi komisioni gjeti mospërputhje në organizimin e ndeshjes gjysmëfinale të Kupës kundër Prishtinës, e cila u luajt më 24 prill. Sipas komunikatës së FFK-së:
“Pas përfundimit të ndeshjes, tifozët e Dritës manifestuan sjellje të ashpra, josportive, e të cilat dëmtojnë autoritetin sportiv të futbollit. Sjelljet e tyre janë manifestuar me gjuajtje të gjësendeve të palejuara në drejtim të lojtarëve të Prishtinës, përafërsisht 25 shishe plastike. Tifozët e Dritës kalojnë rrethojat, duke depërtuar në fushë dhe duke u konfrontuar drejtpërdrejt fizikisht me zyrtarët e klubit Drita”.
FFK gjithashtu theksoi që vendimi ishte “i nevojshëm për të mbrojtur integritetin dhe imazhin e sportit dhe për të zbatuar rregullat dhe normat e përgjithshme të sjelljes sportive konform akteve normative të federatës”.
Eliminimi i Dritës nga Kupa, së bashku me penalizimin e ri, ka dëmtuar ndjeshëm shanset e klubit për të ndjekur titullin e kampionatit. Me mungesën e përkrahjes së tifozëve në lojërat e tyre si vendas që nga kjo pikë e sezonit, sfidat e Dritës për të ruajtur pozitat e larta në tabelë janë rritur dukshëm.