Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë votuar rekomandimet e propozuara nga LDK në lidhje me interpelancën e kryeministrit Ramush Haradinaj rreth vendimit të rritjes së pagave të kabinetit qeveritar.
Pas debatit të paradites rekomandimet u hodhën në votim, por nuk pati kuorum për këtë. Në sallën e Kuvendit morën pjesë vetëm 50 deputetë.
Para se të hidhet në votim ishte deputetja Albulena Haxhiu e cila reagoi ndaj kryeministrit Haradinaj që sipas saj po bën presion tek deputetët e pozitës për të mos votuar.
Pas këtij mosvotimi, opozita lëshoi sallën dhe është ndërprerë seanca e Kuvendit.
LDK dhe VV kanë lëshuar sallën ndërsa kryesuesi Xhavit Haliti tha se seanca ndërpritet pasi që nuk ka kuorum për t’u mbajtur ajo.
Për vazhdimin e seancës Haliti tha se do të vendos Kryesia në një mbledhje të saj.