Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale ka shqyrtuar kërkesat e profesionistëve shëndetësorë për nivelim të pagave.
Anëtarët e këtij komisioni kanë thënë se i përkrahin kërkesat e tyre për rritje të pagave në sektorin e shëndetësisë, ngase numër i madh i mjekëve po e lëshojnë vendin në mungesë të kushteve.
Kryetarja e komisionit, Besa Baftiu, deklaroi se është dita e fundit kur duhet të dorëzohen amendamentet për Projektligjin për paga.
“Nëse, ne si komision, dërgojmë një amendament në Parlament është fuqi më e madhe. Kërkesë e federatës ka qenë koeficienti të jetë 6”, theksoi ajo.
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, tha se duhet të përkrahen mjekët.
“Dje kemi dorëzuar një amendament për Projektligjin për paga, ku përfshihen të gjitha kërkesat e profesionistëve shëndetësorë. Ne duhet ta ruajmë pagën dinjitoze për mjekët, sepse po e shohim çdo ditë se mjekët po ikin jashtë vendit”, tha Haxhiu .
Edhe Haxhi Avdyli, nga LDK-ja tha se do ta përkrahë amendamentin e propozuar nga Bekim Haxhiu, për ngritjen e pagave të profesionistëve shëndetësorë.