Që nga paslufta ka një numër të madh të deputetëve të Kuvendit të Kosovës nga Regjioni i Anamoravës, porse regjioni fare nuk ua pa hajrin a të mirën këtyre deputetëve, të cilët pothuajse fare nuk ndijnë detyrim nga pjesa e popullsisë ku muarën me shumicë votat dhe si të tillë janë borxhlinjë të regjionit nga vijnë poshtë e përulen derisa kryejnë punë për vete e mandej shkojnë lart dhe marrin poste dhe jetojnë për vete në luks, siç po ndodhë më në krejt vendin tonë!
E keqja edhe më e madhe është se këta të zgjedhur nga Anamorava e Lugina -deputetë e shkuar deputetëve, -janë më pasivët nga gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe nuk u ndihet zëri kurrë për asgjë! Qëllimi i tyre dhe i partive të tyre, gjegjësisht kompanjonëve të partive të tyre po shihet se ka qenë mashtrues dhe me të njofshëm e me mënyra tjera.
Këta përfaqësuesë të regjionit tone nuk bëjnë zë as kur është fjala për buxhetin e regjionit tonë, as kur është fjala për investimet, as për punësimin, as për investimet kapitale të qeverisë a të ndërkombëtarëve.
Thjeshtë edhe katundet e anëve tjera kanë shfrytëzuar këto grante e përkrahje buxhetore, kurse këta të zgjedhurit e besueshëm të popullit nga regjioni ynë nuk bëjnë kurrë asnjë përpjekje për të marrë hisën nga buka dhe e drejta proporcionale në vendin ku vendoset për këto, e për ku këta të zgjedhur kanë marrë votat e popullit të këtij regjioni, me besë e njerëzi, -se do të “çahen e shqyhen” për të drejtat këto të cilat u takojnë popullatës së këtij regjioni.
Këta përfaqësuesit tanë në Kuvend të Kosovës e në qeveri janë të qetë, të urtë e të butë, sikur të ishin nga Skandinavia, a nga ata eskimët e kasolleve me akull në pol të veriut! Për këtë edhe na ka dale zëri i “mirë” në tërë vendin se ana e Gjilanit e Luginës janë shqiptarët më të urtë e më të mirë!
Për këtë, një deputete e pamartuar tha njëherë se do të donte të kishte për burrë një nga Anamorava sepse kishte parë se ishin shumë të urtë, të butë e pa zë fare! Këtë ajo e kishte konstatuar në Kuvend dhe në punët rreth Kuvendit, ku si tha ajo, gjilanasit e njerëzit e asaj ane janë shumë të këndshëm sepse nuk flasin as nuk kundërshtojnë kurrë!…Aq janë të urtë sa as te gratë nëse kush u përzihet, zë nuk bëjnë, sepse luksi e të mirat që kanë i bëjnë të jenë kështu të urtë, të qetë e të këndshëm!
Kemi deputetë të zgjedhur e të dërguar në instancat e qeverisë e institucionet e vendit nga të gjitha partitë. Përderisa në nivel lokal duan t’i nxjerrin sytë njëri –tjetrit për partitë, në nivel të vendit heshtin si guri e druri dhe janë shumë të durueshëm! Pse most ë bëhen të durueshëm, kur dhimbjet i kanë të tjerët që janë në halle tërë jetën nga regjioni ynë, kurse këta përfaqësuesit e tyre mbyten në luks e në kapital investimesh private për vete e në mes vete, ndërtimesh e punësh të mëdha të biznesit personal.
Këta përfaqësuesë të zgjedhur me një mekanizëm zgjedhor formal e të manipuluar që prej fillimit, për përvetësim të individëve e grupeve të vogla e të mëdha, shpesh e kanë mohuar edhe prejardhjen e vetë, pasise ka edhe sish që janë shpërngulë mëtutje në Prishtinë dhe kanë ndryshuar krejt pasqyrën e politikanëve dhe atë mjekësore, e deri edhe të letërnjoftimit e pasportit, sa që iu duhet të ndërrojnë edhe fotot sepse kanë ndryshuar edhe identitetin fizik, le më atë moral e politik të të “zgjedhurve me besë të partive e të popullatës”!
Ka disa raste kur janë pyetur disa deputetë për problemet me të cilët ballafaqohen qytetarët e regjionit tone dhe kur ata deputetë nuk kanë qenë të informuar fare dhe me sinqeritet kanë treguar se nuk kanë asnjë informacion për problemet por kanë mjaft informacione se në regjion po bëhen punë të mëdha për të mirë!
Gjilani, Dardana, Bujanoci, Vitia, Presheva, Artana, -nuk kanë pasur kurrë përfaqësuesë dinjitozë dhe përfaqësim të drejtë, e nuk kanë as tani dhe as që ka shpresë se do të kenë.
Përballë gjithë këtyre, Gjilani me rrethinë, me regjion mund të krahasohet me fshatrat e Ferizajit e tutje, se për qytete nuk ka çka provon kurrnjë krahasim, sepse ka mbetë krejt prapa!
Qytetarët e Anamoravës për këtë e për këto, duhet të kthjellen e të mendojnë njëherë, sa ka mundësi, që në zgjedhjet e radhës të masin mirë se kujtë po i japin votën, o mos t’a japin fare, sepse veç të dilet në zgjedhje –për të pasurit dhe grupet e intereseve e interesat private të oligarkëve të rinjë nuk ka çka dilet në zgjedhje më fare.
Kështu e ashtu si u bënë zgjedhjet në këtë vend deri tani, kanë treguar se kanë dështuar fare, dhe përkundrazi me to kanë ardhë oligarkët e rinjë, që kanë tejkaluar Republikën dhe janë bërë bosë e sundimtarë të vërtetë të këtij vendi, jashtë ligjeve dhe arsyes edhe elementare!