Deputeti i LDK-së Ermal Sadiku ka deklaruar se deputetët që janë betuar në Kuvend kanë filluar t’i marrin pagat, pavarësisht se Kuvendi nuk është funksional.
Sadiku ka thënë se kjo është paga e katërt që ai merr nga Kuvendi, duke theksuar se nuk ka përfituar nga pagat kalimtare.
“1.500 euro rrogë, me dy seanca të çuditshme, është për besë keq”, ka shkruar Sadiku, transmeton Zeri.info.
Ai ka kritikuar situatën aktuale në Kuvend, duke argumentuar se deputetët gjatë kësaj periudhe kanë mundur të punojnë në komisione parlamentare, të avancojnë ligjet që presin për shqyrtim dhe të diskutojnë politika publike.
“Gjatë gjithë kësaj kohe kemi mundur të punojmë në komisione, t’i shtyjmë përpara disa ligje që po presin, të diskutojmë e të propozojmë politika dhe, në fund të fundit, t’i kryejmë punët për të cilat na kanë votuar qytetarët”, ka deklaruar ai.
Në fund, Sadiku i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje ta thërrasë seancën e Kuvendit.
“Thirreni seancën, të padashutun e të parespektuar Vetëvendosje. Lërini këto dallavere, bllokada e manipulime”, ka shkruar ai.
Përveç betimit të deputetëve, Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar akoma me kryetar dhe nënkryetarët e tij.









