Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka komentuar deklaratën e sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, duke thënë se ishte e padobishme dhe pa informacion për kontekstin.
Sipas tij, deklaratat që barazojnë një milici fashiste me policinë e Kosovës, e cila është trajnuar nga Shtetet e Bashkuara, janë të gabuara dhe nuk e ndihmojnë situatën.
“Edhe unë mendoj që nuk ka qenë e dobishme dhe ka qenë e painformuar për kontekstin, por ajo mbetet të analizohet në një kohë tjetër. Një deklaratë çfarëdo deklarata që barazojnë një milici fashiste me një polici të Kosovës, e cila është trajnuar pikërisht nga Shtetet e Bashkuara, është e gabuar dhe nuk i ndihmon situatës”, ka deklaruar ai në Debat Plus.
“Nuk e besoj që do të jetë ashtu, nuk kam paralajmërime të tilla, pikërisht nga fakti që janë kundërproduktive, e para e punës ato duhet të orientohen nga Serbia, do të thotë që nëse ka palë që duhet të sanksionohet është pikërisht Serbia. Arbitri këto deklarata që po bëhen janë pak relative dhe po ndryshojnë në kohë. Më herët kemi pasur deklarata nga Parlamenti Evropian që i bënë thirrje Serbisë që të orientohet”, është përgjigjur Muja.
Po ashtu, ai ka deklaruar se Serbia është një fëmijë i llastuar i Ballkanit Perëndimor.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës ka për detyrë ta mbrojë interesin vital të Republikës së Kosovës, dhe “kushtetutshmëria, veriu, ligjshmëria, demokracia janë interesa vitale të Kosovës, i shkojnë për shtati dikujt ose nuk i shkojnë”.
Ndryshe, edhe kryeministri Albin Kurti, kritikoi deklaratën e Blinken për vendimin e Qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcat në ndërtesat komunale në veri.
Kurti e quajti deklaratën e Blinkenit “e padrejtë, e gabuar dhe lënduese”, por në të njëjtën kohë e cilësoi si naive.