Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli, ka dalë kundër mocionit që partia e tij e ka inicuar për rrëzimin e Qeverisë Kurti. Avdyli ka thënë se Kosova është në një situatë të paqartë dhe se mocioni duhet të shtyhet deri në një situatë kur piqen kushtet.
Duke e marrë parasysh situatën e rëndë epidemike dhe situatën e paqartë politike, mendoj që ky mocion duhet të shtyhet. Mocioni duhet të shtyhet derisa të piqen kushtet demokratike e ato janë atëherë kur mund të mbahen zgjedhjet e reja”, ka thënë Avdyli.
Ai tha se është jo logjike të rrëzohet kjo Qeveri për mos-heqje të taksës dhe të bashkëpunohet me AAK-në e cila kërkon të mbetet taksa në fuqi, duke shtuar se vetëm AAK-në mund ta kenë partnere duke qenë se LDK-ja ka vija të kuqe për PDK-në.
“Ne si LDK i kemi disa vija të kuqe, ne nuk shkojmë me PDK-në. Por nuk po më duket logjike që ta rrëzojmë këtë qeveri dhe përsëri ta lëmë të punojë. Kjo qeveri po rrëzohet për taksën dhe po duhet të bëjmë koalicion me një parti e cila bazën e funksionimit e ka tarifën. Mendoj që kjo na bën të pamundshme të rrëzojmë një qeveri për shkak të mos heqjes së taksës dhe ta bëjmë një qeveri që nuk e heq taksën”, ka thënë Avdyli.
Avdyli shoti se me mocionin e sotëm Kosova futet në një paqartësi institucionale dhe kjo paqartësi do ta rrëzojë qeverinë dhe do të krijojë një qeveri tjetër por që nuk dihet se sa do të bazohej në vullnetin e qytetarëve./Zëri