Pas Artan Abrashit, edhe një deputet tjetër i Vetëvendosjes ka kritikuar KFOR-in, që sipas tyre po e vonon intervenimin në Veri për t’i larguar barrikadat.
Adnan Rrustemi, mbrëmë në Facebook, ka bërë një “renditje të gjërave”.
–
Postimi i plotë:
Duhet ta themi rendin e gjërave ndonëse ai është shumë i thjeshtë dhe i qartë:
1. Në Republikën e Kosovës janë bllokuar disa prej rrugëve nacionale. Dhe kjo është e paligjshme.
2. Këto barrikada janë vendosura nga struktura kriminale dhe të armatosura që dirigjohen direkt nga Beogradi, madje këtë edhe e kanë pranuar zyrtarisht.
3. KFOR ka kërkuar pak kohë nga institucionet e Republikës së Kosovës për t’i hequr këto barrikada të paligjshme.
4. Jemi në ditën e 14 dhe sot KFOR deklaron që kjo punë të zgjidhet me dialog.
Këto deklarata dhe kjo zhagitje vërtetë po bëhen të papranueshme dhe janë duke kaluar çdo pritje. Rendi dhe ligji duhet të mbizotërojë. Me krimin dhe paligjshmërinë nuk mund të negociohet. Barrikadat duhet të hiqen sa më parë dhe Policia e Kosovës ka të gjitha kapacitetet ta bëjë këtë gjë.