Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka, ka premtuar dorëheqjen nga çdo pozicion publik nëse dëshmohet se ai është nënshkruar për të marrë mëditje në punimet e Kuvendit të Kosovës, pa marrë pjesë në seanca.
Komentet e deputetit Uka erdhën si reagim ndaj pretendimeve të deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, rreth një grupi deputetësh të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët kanë sabotuar iniciativat e LVV-së në Kuvendin e Kosovës.
Deputeti prishtinas ka deklaruar se ka munguar në disa seanca të fundit të Kuvendit të Kosovës, por për arsye profesionale për të cilat tha se e ka lajmëruar Grupin Parlamentar të LVV-së.
“Është e vërtetë që kam munguar në disa seanca dhe për mungesën time e kam lajmëruar shefen e grupit parlamentar. Arsyeja e mungesës sime nuk ka qenë dhe nuk është pakënaqësia me VV-në. Kam munguar për shkak se kam përgatitur një libër të veçantë, që e konsideroj arritjen time jetësore dhe kam udhëtuar jashte vendit për ta prezantuar, meqë në Kosovë rëndom të tillat ngjarje nuk bëhen kurrë lajm kryesor”, tha Uka.
Uka, i cili kishte paralajmëruar dorëheqje nga pozita e deputetit në qoftë se do t’i kushtëzohej puna mes Universitetit të Prishtinës dhe Kuvendit të Kosovës, ka thënë se kjo nuk do të ndodhë pas amandamentimit të Ligjit për Zyrtarët Publik.
“Unë kam deklaruar që do të tërhiqem nga Kuvendi në rast se më bie të zgjedh mes UP-së dhe Kuvendit. Por, me amandamentimin e ligjit për zyrtarët publik, kjo nuk do të ndodhë. Prandaj, mund të jetë një lajm i keq, për ata që duan ta trumbetojnë një ‘pakënaqësi të re”, ka thënë ai.