Deputeti nga Vetëvendosje Alban Hyseni tha se Qeveri Hoti erdhi në pushtet pa i pasë votat e duhura dhe mënyrën se si u ngjit deri aty e quajti turp.
“Kjo qeveri erdhi në pushtet me arsyetim e Gjykatës Kushtetuese që bazë ka qenë 2/3 e deputetëve dhe këto marrëveshje u pa se s’po mund të kalojnë sepse s’i ka as 61 deputetë – dy s’mund të konsiderohen vota legjitime, te njëri për shkak të ndikimit të presidentit dhe tjetri pasi që është i dënuar.
“Kjo qeveri ilegale që tanimë vetëm se ka hequr reciprocitetin dhe që nuk do të aplikojë për anëtarësim po tregon se është e paaftë për qeverisje. Një qeverisje që është jolegjitime nuk mund t’i besojmë. Nuk duhet t’i tregojmë ne që s’i kanë votat sepse duhet ta dinë vet nëse e kanë fuqinë”.
Por, sa i përket akuzave që ia bënë përfaqësuesit e pozitës në Rubikon të Klan Kosovës që nuk i votuan marrëveshjet ndërkombëtare, që i quajtën të rëndësishme, Hyseni tha se e njëjta ndodhi edhe gjatë Qeverisë Kurti kur u përball me pandeminë.
“Ju keni bojkotuar seancat pasi e keni rrëzuar Qeverinë në mes të pandemisë. Në anën tjetër ndryshimet pozitive që kanë filluar pas 6 tetorit, me gjithë përpjekjet kolosale që i bëmë me LDK-në i keni rrëmbyer. Bojkotimi i Kuvendit ka ndodhur edhe gjatë Qeverisë Kurti kur s’kanë lejuar as të jepet mendimi i qeverisë për ligjet”.
Derisa Hyseni ia la fajin LDK-së për prishjen e “koalicionit të shpresës” kritikoi edhe marrëdhëniet mes LDK-së dhe PDK-së.
“Është e vërtetë që bashkëpunimi PDK-LDK është i çuditshëm. Në njërën anë presidenti që jep direktiva dhe në anën tjetër e kemi aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese që për bazë kishte 2/3 e Kuvendit, që në fakt s’i kanë”.
Hyseni tha se LDK-ja ndryshoi qëndrimet që ia dha qytetarëve në fushatën zgjedhore.
“Për të treguar se janë qeverisje koti, që pavetëdije LDK e ka thënë më shumë fjalën koti sesa ne opozita sot në Kuvend, kishin pjesë të programit politikën e reciprocitetit, i cili është më shumë se vetëm vendim qeveritar dhe e hoqën. Ndryshimi karshi reciprocitetit nënkupton edhe ndryshim i qasjes ndaj qeverisjes”.