Deputeti shqiptar në Parlamentin e Republikës së Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar sërish ndaj ministrit serb Aleksandar Vulin, pasi ky i fundit po vazhdon ta përdorë termin “siptari” për shqiptarët, raporton “Zeri.info”.
Ai thotë se Vulini ka probleme serioze me mosdijen e këtij të fundit për Serbinë.
“Kam filluar të bindem se ministri Vulin ka probleme serioze me mosdijen e tij për Serbinë, ligjet dhe vendimet e saj shtetërore. Mirë do të ishte të fillojë t’i mësojë një ditë, nëse ka ende shpresë, se realisht nuk mund ta bëjë unë punën që nuk e kanë bërë edukuesit dhe arsimuesit e tij”, tha Kamberi përmes një shkrimi në “Facebook”.
Kamberi ia rikujton Vulinit se përfaqësuesit e shtetit të Serbisë kanë negociuar marrëveshje politike me krerët e ish-Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc dhe se institucionet e Republikës së Serbisë kanë miratuar Ligjin për Amnistinë, që ka përfshirë pjesëtarët e UÇPMB-së.
“Njëkohësisht, nuk kam asgjë kundër që ministri Vulin të transferohet për punë në Elektrodistribucionin e Serbisë për t’u marrë me pagesat e rrymës të qytetarëve. Sado që kjo nuk duket se do të mjaftojë për ta iluminuar personalisht, së paku ka mundësi që do t’i ndihmonte Qeverisë së Serbisë me mungesën e tij, nëse jo sigurimit të rrymës për qytetarët me praninë e tij. Errësirë është në Batajnicë, z. Vulin. Arkivat që dëshmojnë sesi kanë përfunduar kufomat e civilëve të pafajshëm nën dheun e Batajnicës i ke me gjasë në zyrat e Ministrisë suaj. Dhezi dritat! Për të vërtetën. Për të ardhmen e gjeneratave të reja të Serbisë”, tha Kamberi.