Obdulia Taboadela Alvarez, deputetja e Parlamentit të Spanjës nga radhët e partisë së kryeministrit Pedro Sanchez, ka thënë se nuk do të njohin pavarësinë e Kosovës.
Ajo kështu u deklarua derisa e mbajti fjalimin e saj në seancën e sotme ku u kërkua nga Qeveria e Spanjës ta njohë pavarësinë e Kosovës.
“Grupi “Bashkë për Kataluninë” është duke e sjellë këtë ligj, që është një propozim joligjor që Spanja ta njohë pavarësinë e Kosovës si shtet sovran. Qëndrimi ynë është publik dhe i njohur. Spanja e ruan qëndrimin e saj për mosnjohje të pavarësisë së Kosovës, së bashku me vendet e tjera të BE-së që nuk e njohin Kosovën”, ka thënë Obdulia Taboadela Alvarez.
Nismën për njohjen e pavarësisë së Kosovës e mori grupi parlamentar i partisë katalunase “Junts” ku argumentohet se Kosova është “një shtet ligjor dhe demokratik me rreth 1.7 milionë banorë”, i cili njihet si shtet i pavarur nga mbi 100 vende, duke përfshirë 22 anëtarë të BE-së.
“Refuzimi i Spanjës për të njohur një shtet që përdori të drejtën e tij legjitime për vetëvendosje është një pengesë për politikën evropiane të përfshirjes së Ballkanit Perëndimor në BE dhe ky është një faktor destabilizimi i zonës në një kontekst të karakterizuar nga lufta në Ukrainë që kjo pjesë e Evropës po e përjeton me ankth të veçantë”, thonë nga “Junts” në memorandumin shpjegues.