Ka ardhur kohë shumë e keqe: bëhet hajgare me mësimdhënësit, fyhen dhe qortohen si klasa më e ulët dhe më e padijshme e shoqërisë. Kjo më së shumti po vjen nga militantët e partive të Koalicionit qeverisës, e po krijohet përshtypja e gabuar, se krejt shoqëria është kundër mësimdhënësve. Mësimdhënësit kosovarë nuk u nënshtruan në kohën më shtypëse nga regjimi serb. Punuan deri pas shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë, me pagë minimale. Sot, kur do të duhej të plotësoheshin kërkesat e tyre të drejta për rritjen e koeficientit të pagës, u bëhet presion publik thua se fajtori janë mësimdhënësit, e jo vetëm Qeveria e papërgjegjshme. Unë si deputete, jam plotësisht në anën e mësimdhënësve, ndonëse ndjej keqardhje të madhe që viktima e humbjes së orëve mësimore janë fëmijët e nxënësit tanë.
Greva e mësimdhënësve duhet të jetë më e shkurta në botë, nëse do të kishte një vend Qeveri të përgjegjshme, e jo shpërfillëse. Nuk ka logjikë të reagohet ndaj grevës me hajgare, fyerje e presione, por me takime 24 orë në mes të Qeverisë dhe SBASHK-ut, për ta zgjidhur problemin menjëherë. Greva në vende të tjera të punës, lëndon kategori më pak të ndjeshme, ndërsa në arsim, ka pasoja për kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë: nxënësit, fëmijët. Madje, në vija të përgjithshme, dëmtohet shtylla më e rëndësishme e shoqërisë dhe shtetit: arsimi.