Pas tri viteve të dështuara, duket se interesi i Kryetarit të Komunës së Gjilanit, përkatësisht ‘administratorit’, nuk është zgjidhja e problemeve aktuale, por shtimi i tyre.
Rruga Gjilan-Prishtinë është e pasigurt për qytetarët që udhëtojnë çdo ditë, dhe ata janë të detyruar të presin në kolona të gjata për të arritur në shtëpitë e tyre pas një udhëtimi të lodhshëm.
Fatkeqësisht, premtimi për hapjen e autostradës në vitin 2023 nga administratori i Gjilanit dhe kryeministri i Kosovës, rezultoi i pavërtetë. Jemi në fund të vitit 2024 dhe autostrada nuk është as afër përfundimit të pjesës së nisur.
Për më tepër, ai ka filluar të degradojë rrugën “Adem Jashari” në qendër të qytetit, në një kohë kur dimri po afron dhe kushtet për projektin do të jenë të papërshtatshme, duke dëmtuar bizneset lokale dhe duke krijuar vështirësitë për shoferët e këmbësorët për kohë të gjatë, qysh e ka zakon Vetëvendosja, t’i zvarrisë krejt projektet.
Këto situata ndodhin kur një praktikant udhëheq Komunën e Gjilanit! Në vend të shpërbërjes së Kuvendit Komunal që po e mbron interesin e qytetarëve, do të duhej të jepte dorëheqje vetë Kryetari i Komunës.
Gjilani duhet të shkojë në zgjedhje lokale para përfundimit të mandatit, sepse në historinë e Gjilanit, nuk mbahet mend kësi lloj qeverisjeje lokale amatore.