Presioni i madh i derbit të Anamoravës, Gjilani – Drita, në shumicën e rasteve ka rënë tek ekipi që është në cilësinë e organizatorit. Besoni apo jo, që më tepër se 6 vjet nuk ka ndodhur që skuadra vendëse të fitojë derbin.
Në 10 ndeshjet e fundit, 6 fitore u takojnë mysafirëve dhe 4 ndeshje kanë përfunduar me barazim, transmeton SS.
Hera e fundit kur ka fituar nikoqiri ka qenë në mars të vitit 2012, kur Drita triumfonte 2-0. Si asnjëherë më parë, edicionin e kaluar 3 ndeshjet përfunduan pa fitues.
Drita dhe Gjilani në Superligë janë takuar 26 herë, “Intelektualët” kanë 9 fitore, Gjilani 8 dhe 8 ndeshje kanë përfunduar me barazim. Kjo është ndeshja që përveçse se mbledh gjithmonë rekord shikuesish në stadium, sjell edhe përfitimet financiare më shumë se çdo ndeshje tjetër në Superligë. Po ashtu, kap shikueshmërinë televizive më të madhe në kampionatin kosovar nga të gjitha ndeshjet që transmetohen nga Digitalb dhe Supersport.
Është interesant fakti që në derbin e Anamoravës për herë të parë do të marrë pjesë një trajner nga Shqipëria. Shpëtim Duro, që e nisi karrierën me Dritën, duke mposhtur Prishtinën, do të ketë një test tjetër të vështirë me Gjilanin. Ndryshe nga Duro, homologu i tij, Sadat Pajaziti, e njeh mirë ambientin e derbit, pasi ka qenë trajner i dy skuadrave brenda viteve 2015/2016.