FC Drita tashmë është shpallur kampione e Superligës së Kosovës, duke siguruar titullin e pestë në histori të klubit shkruan Radio Star.
Skuadra e drejtuar nga Zekirija Ramadani vulosi matematikisht triumfin në ndeshjen ndaj FC Ballkani, duke e siguruar trofeun tri xhiro para përfundimit të kampionatit.
Në xhiron e 35-të të elitës së futbollit kosovar, FC Drita do të përballet me rivalin lokal SC Gjilani, në një derbi që pritet të jetë festiv për tifozët bardhekaltër.
Pikërisht pas përfundimit të kësaj ndeshjeje, klubit gjilanas do t’i dorëzohet zyrtarisht trofeu i kampionit të Superligës.
Ndërkohë, më 25 maj është paralajmëruar një festë e madhe nga klubi për të kremtuar titullin e pestë kampional. Në organizimin e paraparë nga klubi pritet të marrin pjesë tifozë të shumtë dhe figura të futbollit kosovar, në një atmosferë festive për suksesin historik të Dritës./radiostargjilan/

