Superliga e Kosovës rikthehet nesër me duelet e xhiros së 24-t, ku vëmendja kryesore do të jetë në Gjilan, aty ku Drita dhe Ballkani do të përballen në një sfidë vendimtare për garën e titullit.
Drita kryeson tabelën dhe ka një avantazh prej 10 pikësh ndaj Ballkanit, që mban titullin e kampionit në fuqi. Gjilanasit do të kërkojnë rikthimin te fitorja pas humbjes në xhiron e fundit ndaj Llapit, ndërsa Ballkani vjen nga një barazim me Prishtinën.
Ndeshja zhvillohet në stadiumin me bari sintetik në Gjilan, duke filluar nga ora 14:00. Përballja pritet të sjellë emocione të forta, pasi të dyja skuadrat synojnë fitoren për të forcuar pozitat e tyre në garën për titull.