Shkruan Sylejman Ismajli
Stadiumi i qytetit në Gjilan filloi të ndërtohet në vitin 1967, dhe për katër vite u ndërtuan tribunat dhe u shtrua me bari natyral, ku më pas konsiderohej njëri ndër stadiumet më të mira si për tribuna poashtu edhe për nga cilësia e barit.
Shumë skuadra me renome zbarkuan në këtë stadium, ku u zhvilluan derbi të ndryshëm të asaj kohe me shumë futbollist cilësorë, trajner e donatorë të ndryshëm.
Plot para gjysmë-shekulli, stadiumi i qytetit ishte më i mirë se tani, ndërsa bota e civilizuar për gjysmë shekulli ka ndërtuar stadiume me përmasa botërore për t’ju krijuar kushte futbollistve për të treguar potencialin e tyre por edhe shikuesve që të jenë komod në tribunat e tyre.
Qyteti i Gjilanit është i vetmi qytet në Kosovë që ka derbin më të madh në vend por edhe në disa vende Ballkanike e Evropiane, duke dëshmuar se qyteti i Gjilanit është vend i sportit e i futbollit.
Në këtë vend ka lindë derbi në mes Dritës e Gjilanit, në kohërat më të vështira të okupimit Sërb duke e mbajtur gjallë me fanatizëm këtë rivalitet sportivë – “vëllezër jashtë fushës e armiq në fushë”, të cilët asnjëherë gjerë më tani nuk shkaktuan as më të voglin problem.
Kënaqësinë e këtij derbi e bënë edhe më të bukur dy taborret e tifozërisë më të zjarrta në futbollin e Kosovës – “Intelektualët” e Dritës e “Skifterat” e Gjilanit.
Për këtë derbi janë ‘derdhur’ shumë lotë të gëzimit e të hidhërimit, tifozët me mjetet e tyre e të ndihmuar nga klubet e tyre janë përgaditur me javë të tëra për spektaklin e derbit – janë ndarë familjet, vëllezërit, motrat për 90 minuta sa ka zgjatur derbi, tifozët si Intelektualët poashtu edhe Skifterat kanë bërë betimin e tyre para martesave të tyre në emër të ngjyrave të klubit të tyre, qyteti i Gjilanit frymëzonte me ngjyrat e “kuqebardh” e ”bardhekaltër”, flamujtë e këtyre klubeve përposë që valonin në shtëpit e këtyre tifozve, flamujt valonin edhe nëpër kodrina e fusha të larta duke paralajmruar derbin Gjilanas .
Derbi shtonte adrenalinën në maksimum, në fushë luftohej për cdo centimetër, shkallët e stadiumit ishin shumë të vogla për të zënë dashamirët e futbollit, pasiqë aty mblidheshin gjerë në 15 000 shikues me flamuj, kerografi të ndryshme, këndohej për 90 minuta pa marrë parasyshë rezultatin.
Në disa vitet e fundit ky derbi po venitet, jo me dëshirën e shikuesve të rëndomtë as të tifozve “Intelektualëve” e “Skifterave”, por po venitet nga politika e drejtuar dhe neglizhenca e tyre ndaj këtyre dy klubeve me renome.
Stadiumi ka filluar copë -copë të ndërtohet tani e katër vite, duke ju shkaktuar probleme të mëdha këtyre dy klubeve, dhe pa asnjë zgjidhje, duke ju shkaktuar humbje të mëdha financiare por edhe duke e venitur derbin – pasurinë më të madhe që ka futbolli Kosovar e duke i larguar nga stadiumi si futbollistët
poashtu edhe shikuesit.
Qyteti i Gjilanit e futbolli i Kosovës mburret me derbin e tyre, por udhëheqësit politik janë ata që po shkatrrojnë gjithcka dhe të cilët nuk qajnë hallin jo vetëm për stadiumin e qytetit të Gjilanit, por një fat të tillë e kanë edhe qytetet siq janë: Mitrovica, Peja, Gjakova, Prizreni e disa qytete tjera, por politikanët ose nuk dinë ose s’kanë vullnet apo s’kanë përgjejgjësi, pasi në këtë mënyrë janë duke e
shkatrruar futbollin – sportin numër një në shtetin e Kosovës.
“Derbi Anamorava”, nëse mundemi ti themi derbi, zhvillohet në fushën me bari sintentik pa praninë e shikuesve për shkak sigurisë. Eshtë mëkat dhe goditje e rënd për qytetin e Gjilanit, për shikuesit “Intelektualët” e “Skifterave” të mos jenë në këtë derbi për të cilën jetojnë e kanë sakrifikuar me vite të tëra, e t’ju mohoshë ëndrrat e tyre të tifozërisë kjo nuk do koment.
Drita e Gjilani janë dy klube që në mënyrë dinjitoze po e paraqesin futbollin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, e tani e sa vite duke dëshmuar se qyteti i Gjilanit meriton më shumë për këto dy klube.
Klasa politike duhet të zgjohet nga gjumi dhe ti rehabilitojnë këto dy klube me tifozët e tyre, sepse kjo është pasuri që askush nuk e ka, për këtë derbi kanë sakrifikuar shumë gjenerata.