Sot në Gjilan zhvillohet derbi i xhiros së 24-të në Superligën e Kosovës, ku Drita dhe Ballkani do të përballen në një duel vendimtar për kreun e tabelës.
Drita, e cila kryeson kampionatin, synon ta rrisë epërsinë ndaj Ballkanit, që aktualisht ndodhet në vendin e dytë me 10 pikë më pak. Gjilanasit vijnë në këtë ndeshje pas një humbjeje ndaj Llapit në xhiron e kaluar, por trajneri Zekrija Ramadani theksoi në konferencën për media se skuadra e tij ka reflektuar dhe është e përqendruar te fitorja e radhës.
“Humbja kundër Llapit i takon të kaluarës. Kur lufton për titull, çdo humbje dhemb, por reflektimi pas saj ka qenë i jashtëzakonshëm. Na interesojnë vetëm tre pikët dhe të vazhdojmë rrugëtimin tonë deri në fund,” tha Ramadani.
Sfida mes Dritës dhe Ballkanit zhvillohet sot në ora 14:00 në stadiumin ndihmës me bari sintetik në Gjilan, ku pritet një përballje e zjarrtë mes dy pretendentëve për titull.