Ish-ushtarja e UÇK-së, Aida Dërguti, ka thënë se për herë të parë ka mbajtur armë në dorë, kur iu është bashkuar luftës së UÇK-së.
“Për herë të parë armën në jetën time e kam marrë kur kam shkuar në UÇK, para asaj nuk kam pasur e as nuk kam pa armë, pra janë njerëz të rëndomtë, vullnetmirë, të cilët janë çuar për ta çliruar këtë vend, kaq është kjo punë”, tha Dërguti gjatë debatit në Info Magazine në Klan Kosova, ku temë debati ishin statuset në Facebook të ministrit të Financave, Hekuran Murati, për veteranët e UÇK-së.
Megjithatë, Dërguti tha se statuset e ministrit nuk janë ofenduese për të, por tha se ka një problem tjetër.
“Nuk është për mua ofendues, sepse na u ka trashë lëkura, qe 23 vite jemi ofenduar vazhdimisht, nuk është ky problem, mendoj se problemi kryesor është e ardhmja e këtij vendi, në duar të kujt mbetet, dhe a do të kenë vullnet gjeneratat e reja të shkojnë në një luftë, nëse i nevojitet vendit”, u shpreh ish-deputetja.