Zgjedhjet lokale të tetorit po afrohen, kurse listës së kandidatëve për kryetar të komunës së Gjilanit nga dita në ditë po i shtohen emra të rinj. Postim më të lartë në komunën e Gjilanit deri më tashti janë duke e lakmuar katër pretendentë, dy të subjekteve politike dhe dy kandidatë të pavarur, kurse në vijim ky numër pritet të rritet, shkruan kryelajmi.com
Lutfi Haziri, kryetar i tashëm i Komunës së Gjilanit do të kandidojë edhe për një mandat tjetër, duke qenë kështu njëri ndër personalitet më jetëgjate në Kosovë në postin e kryetarit të komunës. Dega e LDK-së në Gjilan i ka dhënë besimin Lutfi Hazirit, që edhe në zgjedhjet e ardhshme të kandidojë për kryetar të Gjilanit.
Lutfi Haziri
Shumë nga njohësit politikë, por edhe subjektet politike rivale e kanë parë Lutfi Hazirin si lojtar të fortë në politikë, duke pandehur se ai në momentet e fundit do të kandidojë, duke i shikuar kandidaturat tjera, por vetë Haziri ka përgënjeshtruar këtë zëra, duke u kandiduar i pari nga të gjithë kandidatët e subjekteve politike dhe duke u lënë atyre mundësinë që të përzgjedhin kandidatët që do t’i dalin përballë.
Nazim Gagica
Subjekt tjetër politik që e ka bërë publike kandidaturën është AAK, e cila për të parin e komunës e ka nominuar Nazim Gagicën, që aktualisht është drejtor në Drejtorinë e Arsimit në Gjilan. Herëve të kaluara AAK kandidatin më të fortë e kishte Rexhep Kadriun, i cili kësaj here ka lëshuar udhë për të tjerët, duke lëshuar edhe vendin e kryetarit të degës, të cilin përkohësisht e mori Agim Zuzaku e në fund këtë post e kishte marrë Bajram Hasani, që më herët kishte qenë edhe në subjekte të tjera politike (PDK e Nisma), kishte qenë edhe minisër, por që u konsiderua se është i ri në strukturat e AAK-së, subjekt që e pa si më të qëlluarin pikërisht Nazim Gagicën.
Lëvizja Vetëvendosje, që ës fundi është përballë me largimin e kryetarit të qendrës në Gjilan, Nevzad Isufit, ende nuk ka vendosur se kë do t’a kandidojë për kryetar të Gjilanit edhe pse emri më i mundëshëm për këtë post është ai i deputetit të tashëm të VV-së, Alban Hyseni. VV në Gjilan gjithnjë më mirë ka dalë në zgjedhjet qëndrore se sa në ato lokale, por kësaj radhe në këtë subjekt politik besojnë se fryma që ka përfshirë zgjedhësit do të bëjë të veten dhe se VV për herë të parë do të udhëheq me Gjilanin.
PDK, që në dy mandate kishte udhëhequr me Gjilanin, pikërisht me Qemajl Mustafën, ende nuk e bërë publik emrin e kandidatit për kryetar të Gjilanit, ndonëse subjekti poltik është në konsultime të vazhdueshme. Edhe PDK pikërisht në këtë fazë, që konsiderohet të jetë më delikatja ka ngelur pa udhëheqës në degë e me ushtrues detyrash, kurse shumë shpejt pritet që të dalë edhe kjo degë me një emër.
Subjektet tjera politike, Nisma, AKR, PD, Vatra e ndonjë tjetër, në Gjilan sikur nisin veprimtarinë vetëm në prag të zgjedhjeve, kurse nga zyrat e këtyre subjekteve politike as që është përfolur për ndonjë emër të mundshëm të kandidatëve për kryetar të komunës.
Ajo që e veçon Gjilanin nga komunat tjera kanë kandidaturat e pavarura e deri më tash në Gjilan janë dy të tilla.
Ardian Foniqi
Ardian Foniqi, zyrtar komunal i është shtuar listës së kandidatëve të pavarur për kryetar të komunës së Gjilanit. Ai ka nisur aktivitetet duke thënë se nëse zgjidhet për këtë pozitë, do të punojë në të mirë të Komunës, së bashku me gjithë qytetarët, pa dallime.
Lulzim Behxheti
Një kandidaturë për Gjilanin kësaj radhe vije edhe nga Evropa, nga Skandinavia. Lulzim Behxheti, duke qenë kryetar i Gjilanit dëshiron që përvojën finlandeze t’a sjell në Gjilan. Ai për çdo ditë në llogarinë e tij në facebook sjell ide se si do të vepronte me problemet që e prokupojnë qytetarin e Gjilanit.
Në Gjilan priten edhe kandidatura të reja, kurse paralajmërohet një vjeshtë e nxehtë politike.