Dëshmia e ish-zyrtarit të lartë amerikan, James Rubin, që po mbahet tash e tri orë në Dhomat e Specializuara në Hagë, është bërë lajm edhe në mediat ndërkombëtare.
Agjencia prestigjioze e lajmeve “Associated Press” ka raportuar sot mbi paraqitjen e tij si dëshmitar i parë i mbrojtjes në gjyqin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Në artikullin e saj, AP shkruan:
“Zëdhënësi i dikurshëm i Departamentit Amerikan të Shtetit, James Rubin, dëshmoi të hënën si dëshmitari i parë i mbrojtjes për Hashim Thaçin, ish-presidentin e Kosovës, i cili akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera gjatë luftës së viteve 1998-99 për pavarësinë e vendit të tij nga Serbia.
Thaçi po gjykohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë bashkë me tre ish-udhëheqës të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që luftuan forcat serbe gjatë luftës. Ata shihen gjerësisht si heronj kombëtarë në atdheun e tyre.
Rubin ishte me ish-Sekretaren Amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, në bisedimet e paqes në Francë në vitin 1999 dhe më pas mori pjesë në negociatat për çarmatosjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai e përshkroi Thaçin si një “fytyrë politike” të forcës, pa pushtet real.
‘Ishte e qartë për mua se ai nuk ishte në krye’, tha Rubin para gjykatës. ‘Ai nuk kishte dijen, aftësitë apo autoritetin për të marrë vendime në asnjë formë’.
Thaçi u ngrit në pushtet pas luftës, por dha dorëheqje nga posti i presidentit për t’u mbrojtur ndaj akuzave që i ngarkohen bashkë me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, përfshirë vrasje, persekutim, torturë dhe zhdukje me forcë.
Gjyqi nisi më 3 prill 2023, me Thaçin, i njohur gjatë luftës si ‘Gjarpri’, që i tha gjyqtarëve se ishte i pafajshëm. Prokuroria e përfundoi rastin e saj pas thirrjes së 125 dëshmitarëve.
Prokurorët argumentuan në hapje të gjyqit se nuk po vendoset në bankën e të akuzuarve as Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe as lufta për pavarësi.
‘Këta katër të akuzuar janë në gjyq në lidhje me përgjegjësinë e tyre personale për krimet e kryera ndaj personave që ata i shihnin si kundërshtarë, shumica e të cilëve ishin shqiptarë të Kosovës’, tha prokurorja Clare Lawson para gjykatës.
Shumica e 13 mijë viktimave të luftës ishin shqiptarë etnikë. Lufta përfundoi me një fushatë 78-ditore të sulmeve ajrore të NATO-s kundër forcave serbe.
Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, një veprim i njohur nga Shtetet e Bashkuara dhe shumë shtete perëndimore, por i refuzuar nga autoritetet në Beograd.
Gjykata në Hagë dhe zyra e saj e prokurorisë u krijuan pas një raporti të vitit 2011 nga Këshilli i Evropës, i cili përfshinte pretendime se luftëtarët e UÇK-së kishin trafikuar organe njerëzore të marra nga të burgosurit dhe kishin vrarë serbë e shqiptarë të tjerë. Thaçi dhe të bashkëakuzuarit e tij nuk ngarkohen me akuza për trafikim organesh.
Seanca e së hënës u zhvillua në një kohë ngërçi politik në Kosovë, shtatë muaj pas zgjedhjeve. SHBA, një nga mbështetësit kryesorë të Kosovës, të premten pezulloi bisedimet me vendin, duke fajësuar qeverinë kujdestare për rritjen e tensioneve dhe paqëndrueshmërisë në Kosovë dhe rajon”, shkruhet në artikull.